
Ministrja thotë se partia në pushtet ka hequr dorë nga posti për t’i hapur rrugë një kandidati konsensual
Ministrja nga Lëvizja Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka deklaruar se VV ka ndërmarrë një hap të ri për tejkalimin e ngërçit politik në zgjedhjen e presidentit, duke hequr dorë nga kjo pozitë.
Sipas saj, VV ka ftuar dy partitë më të mëdha opozitare, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, që të propozojnë tre kandidatë unifikues, jashtë skenës politike, me integritet dhe kontribut të dëshmuar.
Nagavci theksoi se, përkundër deklaratave publike nga opozita, deri më tani nuk ka pasur asnjë propozim zyrtar konkret në përgjigje të ofertës së VV-së për një president konsensual.
Ajo shtoi se, për shkak të rëndësisë së situatës dhe afateve kohore, VV mbetet në pritje të propozimeve edhe gjatë mbrëmjes, duke i bërë thirrje PDK-së dhe LDK-së që të kontribuojnë në zgjidhjen e krizës duke ofruar tre emra dhe duke siguruar nënshkrimet e deputetëve të tyre.
Sipas Nagavcit, kjo do të mundësonte përfundimin e ngërçit dhe sigurimin e stabilitetit institucional për vendin.



