
Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Nait Hasani, ka deklaruar se vendi nuk do të ketë qetësi nëse Gjykata Speciale në Hagë i dënon ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Në emisionin “DPT te Fidani” në Klan Kosova, Hasani tha se pret lirimin e tyre më 16 shtator.

“Pritshmëritë e mia janë: lirimi i tyre më 16 shtator. Ata duhet të lirohen. Në të kundërtën, në Kosovë nuk ka qetësi, as s’ka me pasë qetësi. Nuk lejohet asnjë ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të dënohet”, u shpreh ai.
Hasani shtoi se një vendim dënues do të kishte pasoja serioze.
“Nuk ka me pasë qetësi. Le ta dinë edhe ndërkombëtarët, le ta dinë edhe gjykata, edhe të tjerët. Ka me u kallë Kosova nëse ata dënohen atje”, deklaroi ai.
Sipas Hasanit, një dënim ndaj ish-krerëve të UÇK-së do të ishte njëkohësisht edhe dënim i luftës çlirimtare dhe i shtetit të Kosovës.
“Na cenohet liria jonë, shteti ynë, lufta jonë, gjaku i dëshmorëve. Të dënohet Ushtria Çlirimtare e Kosovës, dënohet shteti i Kosovës”, tha Hasani.



