Nenad Rashiq për deklaratën për tokën e Manastirit të Deçanit: E kam ngatërruar me vizitën e Patriarkut Porfirije

Ministri për Komunitete dhe Kthim sqaroi se toka nuk është dhënë “për hatër të tij”, por ai ka kontribuar në zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, ka dalë me një sqarim lidhur me deklaratën e tij për Radio Pozharevcin, ku kishte thënë se toka për Manastiri i Deçanit ishte dhënë në pronësi të këtij të fundit “për hatër të tij” nga kryeministri Albin Kurti.

banner

Në një prononcim për Gazetën Insajderi, Rashiq tha se kishte ngatërruar këtë ngjarje me pranimin e kërkesës për vizitë të Patriarkut Porfirije, të Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë gjatë Krishtlindjeve Ortodokse të vitit 2023.

“Dje e pashë një konfuzion që është krijuar sa i përket deklaratës sime dhe fjalët e sakta që kam përdorur në atë moment. Me keqardhje po them se është një ngatërrim i fjalëve për një rast që ka ndodhur me Patriarkun atëherë të Kishës Ortodokse Serbe, që ka pasur një vizitë, kjo ka ndodhur para tri vitesh. Ashtu që, pasi që ka ndodhur në të njëjtën periudhë kohore, unë vetë e kam ngatërruar”, deklaroi Rashiq.

Megjithatë, ai theksoi se ka qenë një nga insistuesit kryesorë që të zbatohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese për dhënien në pronësi të 24 hektarëve Manastirit të Deçanit.

“Sa i përket Këshillit të Evropës dhe metodologjisë se si kemi arritur deri në atë nivel, unë gjithmonë kam kërkuar që një prej aktiviteteve të tilla të jetë respektimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Përmes kontakteve dhe përfaqësuesve diplomatikë dhe, në fund, përmes qeverisë, kam kërkuar që kjo gjë të ndodhë. Prandaj konsideroj se kam dhënë kontributin tim”, shtoi Rashiq.

Deklarata e Rashiq tani është në përputhje me sqarimin e Qeverisë së Kosovës. Zëdhënësi i Qeverisë, Arlind Manxhuka, tha se ministri ngatërroi këto dy ngjarje: “Ajo çka ka ngatërruar ministri Nenad Rashiq është pranimi i kërkesës së tij për vizitë të Patriarkut Porfirije për Krishtlindjet ortodokse të vitit 2023”.

Deklarata fillestare e Rashiq, se kryeministri Kurti kishte vendosur të zbatonte vendimin e Gjykatës Kushtetuese “për hatër të tij”, kishte shkaktuar reagime të shumta në opinionin publik.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.