Pas pak nis takimi Kurti-Abdixhiku, edhe tetë ditë afat për presidentin

Kryeministri Albin Kurti dhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, pas pak do të takohen sërish në ambientet e Kuvendit për çështjen e zgjedhjes së presidentit. Ky takim i paralajmëruar është i pesti me radhë midis tyre në funksion të kësaj çështjeje.

E ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka bërë ftesë të dielën për intensifikim të përpjekjeve për gjetjen e zgjidhjes për çështjen e presidentit. Ajo ka theksuar se kjo është javë vendimtare dhe se mirëpret çdo lëvizje të partive drejt kompromisit. 

banner

Deputeti i LVV-së, Arbër Rexhaj, ka thënë që janë të gatshëm për kompromis, megjithatë pret që në ditët e fundit të afatit kushtetues, palët të jenë më konkrete.

Ndryshe nga LDK-ja, PDK-ja ka kërkuar që Kurti ta zyrtarizojë kërkesën e tij përmes një letre drejtuar kësaj partie për çështjen e presidentit, porse nga akterë të PDK-së është deklaruar se nuk e kanë marrë ende një të tillë.

 Kandidati i propozuar për këtë pozitë, Glauk Konjufca, ka thënë se Vetëvendosje do ta përkrahte një kandidat, për të cilin pajtohen së paku dy parti opozitare, pasi vet u shpreh i gatshëm të tërhiqet nga kandidatura.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovë, Lutfi Haziri, ka deklaruar se partia e tij dhe Lëvizja Vetëvendosje janë duke zhvilluar konsultime për një marrëveshje lidhur me zgjedhjen e presidentit. 

Sipas tij, qëllimi është arritja e një marrëveshjeje sa më shpejt për të siguruar funksionalitet institucional dhe shmangien e krizës politike. 

Më 28 prill përfundon afati që Gjykata Kushtetueses e ka caktuar për të zgjedhur presidentin. Mospërmbyllja e suksesshme e këtij procesi nënkupton zgjedhje brenda 45 ditëve.

Pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit, subjektet politike nuk kanë arritur të gjejnë konsensus për presidentin.

E, në seancën për zgjedhjen e kreut të shtetit, e cila u bojkotua nga opozita, fillimisht Konjufca u propozua nga Vetëvendosje, e më pas edhe Fatmire Kollçaku-Mulhaxha. Seanca nuk u zhvillua, meqë në momentin kur duhej të zhvillohej votimi në sallë nuk ishin së paku 80 deputetë, sa kërkohen në raundin e parë e të dytë të zgjedhjes.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.