
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka mbajtur të martën mbledhjen e rregullt të Kryesisë, ku fokusi kryesor ishte përgatitja për procesin e zgjedhjeve të brendshme në të gjitha nivelet organizative të partisë.
Sipas njoftimit të PDK-së, zgjedhjet e brendshme do të përfshijnë të gjitha strukturat e partisë, nga nëndegët dhe degët deri te zgjedhja e kryetarit.
Postimi i plotë:
Mblidhet kryesia e PDK-së, nisin përgatitjet për procesin e brendshëm zgjedhor
Prishtinë, 17 qershor – Partia Demokratike e Kosovës ka mbajtur sot mbledhjen e rregullt të kryesisë, ku temë qendrore e diskutimit ishin përgatitjet për procesin e zgjedhjeve të brendshme në të gjitha nivelet e organizimit, nga nëndegët deri te pozita e kryetarit.
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, theksoi rëndësinë e një procesi korrekt dhe transparent, duke garantuar përmbajtje dhe standarde të larta demokratike në çdo hap të tij.
Në këtë kuadër, u vendos formimi i një grupi punues, i cili do të ketë përgjegjësi për përgatitjen teknike dhe ligjore të këtij procesi zgjedhor.
Ky grup do të kujdeset për orientimin, mbarëvajtjen dhe strategjinë e përgjithshme, duke siguruar që zgjedhjet të zhvillohen në mënyrë të rregullt dhe të drejtë.
Afati i përcaktuar për fillimin e zgjedhjeve të brendshme është muaji shtator, duke i dhënë kohë të mjaftueshme strukturave organizative për përgatitje të plotë dhe gjithëpërfshirëse.
Kryesia e PDK-së riafirmoi përkushtimin e saj për një proces demokratik, të drejtë dhe përfaqësues, në përputhje me standardet dhe traditën politike të PDK-së.



