
U.D. e Presidentes: Vendimi pasqyron besimin në profesionalizmin dhe lidershipin e tij.
Ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, ka bërë të ditur se së bashku me kryeministrin Albin Kurti kanë nënshkruar vendimin për vazhdimin e mandatit të Petrit Ajetit në krye të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI) edhe për pesë vjet të tjera.
Përmes një postimi publik, Haxhiu tha se ky vendim pasqyron besimin në profesionalizmin, integritetin dhe lidershipin e Ajetit në mbrojtje të sigurisë kombëtare dhe në forcimin e institucioneve të sigurisë në vend.
“Sot, së bashku me Kryeministrin Albin Kurti, nënshkruam vendimin për vazhdimin e mandatit të z. Petrit Ajeti në krye të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë edhe për pesë vjet të tjera. Ky vendim pasqyron besimin tonë në profesionalizmin, integritetin dhe lidershipin e tij në mbrojtje të sigurisë kombëtare, si dhe në forcimin e institucioneve tona të sigurisë”, ka shkruar Haxhiu.
Ajo gjithashtu bëri të ditur se gjatë takimit e kanë falënderuar Ajetin për punën dhe përkushtimin e treguar gjatë mandatit të tij të kaluar në krye të AKI-së.



