
Policia e Kosovës ka dalë me një komunikatë zyrtare lidhur me rastin që përfshin Shahin Bushin dhe Esat Shalën, pas raportimeve dhe deklaratave të bëra në media.
Sipas Policisë, më 24 korrik 2026, personi me inicialet Sh.B. është paraqitur në Stacionin Policor në Prizren, ku ka dorëzuar një ankesë, duke pretenduar se pas publikimit të një interviste në media, në të cilën është përmendur si i dyshuar për krime lufte, ndihet i kanosur.

Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, me urdhër të të cilit është iniciuar rasti “Kanosje”.
Policia njofton se personi ndaj të cilit është paraqitur ankesa, E.SH., është ftuar dhe intervistuar në cilësinë e të dyshuarit, në prani të avokatit të tij.
Pas intervistimit dhe konsultimit me Prokurorin e Shtetit, rasti është iniciuar si “Kanosje”, ndërsa E.SH. është liruar në procedurë të rregullt.
Policia ka bërë të ditur se për informata të tjera lidhur me rastin, mediat duhet t’i drejtohen prokurorisë kompetente.
Ky zhvillim vjen pasi Levent Bush, në një deklaratë për Gazetën Politika, mohoi pretendimet se vëllai i tij është personi që shihet në videon e publikuar në emisionin Kosova Today, duke i cilësuar ato si të pavërteta dhe duke bërë të ditur se familja kishte ndërmarrë veprime ligjore.



