
Qeveria e Kosovës në mbledhjen e mbajtur të hënë i ka kërkuar Kuvendit të Kosovës që të marrë vendim për dërgimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) jashtë vendit, si pjesë e Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese në Gazë.
Kryeministri Albin Kurti, ka thënë se FSK-ja është e gatshme të marrë pjesë në këtë Forcë dhe për ta ndihmuar popullin e Gazës, edhe për shkak se vetë Kosova ka qenë përfituese e forcave ndërkombëtare që nga vitit 1999.
Propozim vendimin në mbledhjen e Qeverisë e ka arsyetuar ministri i Mbrojtjes Ejup Maqedonci.
“Dërgimi i FSK-së në këtë mision përfshin pjesëmarrjen e personelit të FSK-së në kuadër të Komandës së unifikuar të forcës Ndërkombëtare të Stabilizimit e cila ka për mision zbatimin e planit gjithëpërfshirës për t’i dhënë fund konfliktit në Gazë”, është shprehur ai.



