
Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, përmes “Facebook”-ut i ka dërguar përshëndetje për të gjithë anëtarët e familjes së një komentuesi, i cili e kishte quajtur “xhenaze”.
Fjala “xhenaze” përdoret për të vdekurin ose ceremoninë e varrimit, por në të folur përdoret edhe si ofendim për një person të dobësuar apo të rraskapitur, shkruan Reporteri.
Komentet me këtë përmbajtje Totaj i ka bërë pikërisht në një postim në të cilin ka folur rreth linçimit publik, gjuhës së urrejtjes dhe dezinformimit, që sipas tij po bëhen nga Lëvizja Vetëvendosje dhe kryeministri Albin Kurti.
Në të njëjtin postim, një qytetar i ka komentuar: “Qyr xhenazja, qyre more xhenazen…”.
Në po të njëjtin koment është përgjigjur Totaj, duke u shprehur: “Nese fare ki familje, përshëndeti krejt me rend!”

Sërish, qytetari i është përgjigjur kryetarit të Prizrenit me gjuhë të njëjtë.
“Shaqir Totaj edhe ti tenden, kryetar, shum pershendeti, thuaju qe i kam per qejfi. Turpi te mbuloft”, ia ka kthyer qytetari.
Mirëpo, disa minuta pas këtyre shkrimeve, postimi është larguar nga faqja.
Totaj i pyetur rreth këtij komenti, si dhe largimit të postimit, përgjegjësinë ia ka hedhur administratorit të faqes, mirëpo, i pyetur se kush është administratori, ka refuzuar të përgjigjet.
“Kryetari Totaj: Përshëndetje e nderuar. Faqen e menaxhon administratori dhe posa une e verejta kete komunikim reagova për ta larguar. Keni parasysh, nese i shkruhet Kryetarit te Prizrenit ‘xhenaze’, ka individë që reagojnë! Me respekt, Sh.T”, ka deklaruar Totaj për “Betimi për Drejtësi”.



