Serwer: Kurti mund të preferojë zgjedhje të reja, opozita nuk është e gatshme të mbështet president të tij

Daniel Serwer, profesor i njohur amerikan, ka shkruar një artikull, pasi qëndroi një javë në Kosovë. Në shkrimin e tij, profesori amerikan ka pasur edhe kritika, edhe lëvdata për Kosovën dhe qeverinë e udhëhequr nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti. Serwer ka pasur një ton balancues, duke ofruar një pamje të përgjithshme të Kosovës.

Sipas Serwerit, opozita e fragmentuar nuk është e gatshme të mbështet një kandidat për president të propozuar nga Kurti.  

banner

Tutje, ai ka shtuar se Kurti mund të preferojë të dërgojë Kosovën në zgjedhjet e katërta, duke shtuar se vitet e tij në pushtet kanë qenë relativisht prosperuese.

“Por për zgjedhjen e Presidentit nevojiten dy të tretat e votave. Opozita e fragmentuar nuk është e gatshme t’i mbështesë kandidatët e propozuar nga Kurti. Nuk është e qartë nëse opozita mund të bjerë dakord për një kandidat të vetin, apo nëse Kryeministri do ta mbështeste një kandidat të opozitës nëse ajo arrin ta propozojë një të tillë. Ai mund të preferojë ta çojë vendin në zgjedhje të katërta” – ka shkruar ai.

Në shkrimin e tij, Serwer ka analizuar edhe temat e gazit amerikan, ndërtimeve të diasporës dhe rritjes ekonomike.

“Në Kosovë po zhvillohet një valë e madhe ndërtimesh, e nxitur në masë të madhe nga paratë e diasporës. Vendi ka pasur emigrim të madh – ndoshta rreth një e treta e qytetarëve të tij jetojnë jashtë. Disa prej tyre janë të gatshëm të rrezikojnë duke dërguar euro në vendlindje. Kjo është një shenjë pozitive. Megjithatë, infrastruktura publike po mbetet prapa ritmit të zhvillimit – vendi ka nevojë për më shumë autostrada dhe hekurudha” – ka shkruar ai.

Në fund, Serwer ka vlerësuar se FSK-ja do të jetë e gatshme për anëtarësim në NATO në vitin 2028.

“Megjithatë, gjërat janë përmirësuar dukshëm krahasuar me të kaluarën dhe ka perspektivë që të përmirësohen edhe më shumë në të ardhmen. Hapi i ardhshëm jetik është anëtarësimi në NATO, për të cilin Forca e Sigurisë së Kosovës pritet të jetë e gatshme në vitin 2028. Amerikanëve do t’u duhet t’i bindin katër shtetet anëtare të NATO-s që ende nuk e njohin Kosovën, në mënyrë që ta pranojnë anëtarësimin e saj. Anëtarësimi në Bashkimin Evropian nuk duhet të vonojë shumë pas kësaj, me kusht që qeveria e ardhshme të bëjë një përpjekje të koordinuar për të zbatuar legjislacionin në përputhje me standardet e BE-së, të cilin Kuvendi tashmë e miraton” – ka shkruar Serwer.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.