
Drejtori i CIA-s, John Ratcliffe, zhvilloi këtë javë një vizitë të papritur në Moskë për t’i paralajmëruar zyrtarët rusë që të mos ndërmarrin sulme ndaj vendeve të NATO-s, raporton The Wall Street Journal.
Sipas WSJ-së, paralajmërimi amerikan erdhi pas vlerësimeve të reja të inteligjencës së SHBA-së, sipas të cilave presidenti rus Vladimir Putin mund të përpiqet ta testojë vendosmërinë e NATO-s përmes një sulmi të kufizuar ndaj një vendi anëtar të Aleancës.

Gazeta raporton se skenarët që shqetësojnë zyrtarët amerikanë përfshijnë veprime që mund të shkojnë nga sulmet kibernetike dhe operacionet hibride deri te një inkursion i kufizuar tokësor.
Sipas raportimit, vendet baltike janë ndër zonat që shihen si potencialisht më të rrezikuara në rast të një përpjekjeje të Rusisë për ta testuar reagimin e NATO-s.
Ratcliffe është takuar në Moskë me zyrtarë të inteligjencës ruse, por jo drejtpërdrejt me presidentin Vladimir Putin.
Putini, megjithatë, është informuar më pas për përmbajtjen dhe rezultatet e bisedimeve.
Vizita e Ratcliffe ishte e para e njohur publikisht e tij në Rusi dhe vizita e parë e njohur e një drejtori të CIA-s në Moskë që nga viti 2021.
Atëherë, drejtori i CIA-s William Burns kishte udhëtuar në Moskë për ta paralajmëruar Rusinë kundër një pushtimi të Ukrainës.
Një ditë më parë, The Wall Street Journal kishte raportuar se Ratcliffe kishte mbërritur në Moskë me një avion ushtarak amerikan nga Riga dhe kishte qëndruar në kryeqytetin rus rreth katër orë.
Në atë moment, qëllimi i vizitës nuk ishte bërë publik.
Sipas raportimit të sotëm të WSJ-së, misioni i vizitës ishte pikërisht paralajmërimi ndaj Moskës që të mos e testojë NATO-n përmes një sulmi ndaj njërit prej vendeve anëtare të Aleancës.



