
Qeveria synon të luftojë ekonominë informale dhe mungesën e fuqisë punëtore, duke ofruar leje qëndrimi dhe pune për mijëra të huaj.
Qeveria e Spanjës ka njoftuar se do t’u japë status ligjor rreth 500 mijë migrantëve pa dokumente, në një vendim që bie në kundërshtim me politikat gjithnjë e më të ashpra kundër emigracionit në Shtetet e Bashkuara dhe në shumë vende të Evropës.
Masa, e shpallur të martën, synon të reduktojë shfrytëzimin e punëtorëve në ekonominë informale dhe të mbështesë tregun e punës, pasi autoritetet dhe Kombet e Bashkuara kanë vlerësuar se Spanjës i nevojiten rreth 300 mijë punëtorë migrantë çdo vit për të ruajtur sistemin e mirëqenies sociale.
Ministrja e Imigracionit, Elma Saiz, e cilësoi vendimin si “një ditë historike për vendin”, duke theksuar se Spanja po forcon një model migracioni të bazuar në të drejtat e njeriut, integrimin dhe zhvillimin ekonomik. Ajo shtoi se masa është “e domosdoshme për t’iu përgjigjur një realiteti që ekziston në rrugët tona” dhe do të ketë ndikim pozitiv në ekonomi.
Sipas planit të ri, të huajt që kanë mbërritur në Spanjë para 31 dhjetorit 2025 dhe që dëshmojnë se kanë jetuar të paktën pesë muaj në vend, do të përfitojnë leje qëndrimi deri në një vit dhe leje pune të vlefshme në çdo sektor. Një nga kushtet kryesore është që aplikantët të mos kenë precedentë penalë. Aplikimet do të hapen nga fillimi i prillit deri më 30 qershor 2026.
Megjithatë, ekspertët theksojnë se numri i migrantëve pa dokumente është edhe më i lartë. Sipas qendrës analitike Funcas, në fillim të vitit 2025 në Spanjë kishte rreth 840 mijë migrantë pa dokumente, shumica prej tyre nga Amerika Latine, veçanërisht nga Kolumbia, Peruja dhe Hondurasi.



