
Në një intervistë për “Top Story” nga Haga, ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka folur për krijimin e Gjykatës Speciale.
Thaçi ka rrëfyer arsyet që çuan Kosovën drejt këtij vendimi, duke thënë se vendi ishte “mes dy zjarreve” dhe se zgjedhja e bërë në atë kohë ishte “e keqja më e vogël”.

“Kosova ishte midis dy zjarresh: ta themelonte gjykatën bashkërisht me partnerët ndërkombëtarë, ose të lejonte formimin e saj nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së. U përcaktuam për të keqen më të vogël për Kosovën. Kështu e evituam Rusinë dhe Kinën nga procesi; sikur të ndodhte e kundërta, do të ishte një kthim prapa për Kosovën në kuptimin legal, politik dhe historik. Për rrethanat thelbësore të ardhjes deri të formimi i kësaj gjykate dhe ecuria e më pastajme, si një proces i gjatë dhe intrigues, nuk mund dhe nuk dua të flas. Isha i zotuar nga ana ime të mos i ndodhte asgjë e keqe Kosovës. Tani jam duke paguar çmimin në lëkurën time. Por, kapërcen edhe kjo vështirësi”, u shpreh Thaçi.
Thaçi ka folur edhe për akuzat e Dick Martyt për gjoja trafikim organesh që çuan edhe në presionin ndërkombëtar për themelimin e Gjykatës Speciale.
“Ato ishin thjesht një justifikim për themelimin e kësaj gjykate. Për gati gjashtë vjet kemi dëgjuar riciklime akuzash, të trajtuara tash e tri dekada nëpër institucione të ndryshme të drejtësisë ndërkombëtare, pastaj edhe në ato vendore dhe ato serbe. UÇK-ja është më e hetuara dhe më e gjykuara nga të gjitha palët ndërluftuese në territorin e ish-Jugosllavisë. Në anën tjetër, ajo ishte më bashkëpunuesja me drejtësinë ndërkombëtare nga të gjithë. Diçka nuk përputhet këtu. E vërteta është se shtypja historike dhe masakrat serbe ndaj shqiptarëve e masivizuan UÇK-në si reagim vetëmbrojtës popullor. Kujtojmë masakrat e shkurtit dhe marsit të vitit 1998 në Drenicë. Këtë fakt e konfirmojnë dhe i dhanë jehonë edhe diplomatët botërorë. Serbia e nisi luftën. Kosova u mbrojt nga shfarosja. Të njëjtën gjë disa vite më parë e kishin bërë kroatët, boshnjakët dhe sllovenët përballë Serbisë. Siç po bëjnë sot edhe ukrainasit përballë agresorit rus”, tha Thaçi.



