Thirrjet e Vuçiqit për luftë, Osmani: Do dështojë si Millosheviqi

Presidentja e Kosovës paralajmëron se Kosova ka zgjedhur paqen dhe se retorika e presidentit serb nuk do të ndryshojë këtë vendim.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar ndaj deklaratave të homologut të saj serb, Aleksandar Vuçiq, i cili kishte thënë se “të gjithë po përgatiten për luftë”. Përmes një komunikate në X, Osmani e konsideron këtë retorikë si një “jehonë të rrezikshme të kapitujve më të errët të historisë së kohëve të fundit”.

Ajo thekson se Vuçiqi po i tregon botës se nuk ka zgjedhur rrugën e pajtimit dhe po shfaq fantazi shkatërruese të ngjashme me ato që dikur shkaktuan viktima të panumërta në Ballkan. Në deklaratë përmendet edhe roli i Slobodan Millosheviqit në luftërat e viteve ’90, duke paralajmëruar se politika e nxitjes së konfliktit dhe kërcënimet nuk do të sjellin rezultat.

“Lufta nuk është një mjet lidershipi. Është streha e fundit e udhëheqësve që kanë humbur legjitimitetin”, thuhet në komunikatën e Presidencës. Osmani përfundon duke nënvizuar se Kosova ka zgjedhur paqen dhe do ta mbrojë atë me çdo kusht.

Back to top button