
Presidenti amerikan paralajmëron se mund të veprojë para se të mbahet ndonjë takim me udhëheqjen iraniane.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, deklaroi se udhëheqja e Iranit ka kërkuar të nisë negociata pas kërcënimeve të tij për veprime ushtarake, të bëra në përgjigje të vrasjes së protestuesve gjatë demonstratave në këtë vend.
Trump i bëri këto komente gjatë një bisede me gazetarët në bordin e avionit presidencial Air Force One, ku tha se po përgatitet një takim mes palëve, por theksoi se mund të detyrohet të veprojë para se të zhvillohet ndonjë takim zyrtar.
“Duket se po fillojnë,” u shpreh Trump, kur u pyet nëse Irani kishte kaluar “vijën e kuqe” të tij përsa i përket vrasjes së protestuesve. “Po e shqyrtojmë shumë seriozisht situatën. Ushtria po e analizon dhe ne po shikojmë disa opsione shumë të forta. Do të marrim një vendim.”
Javën e kaluar, presidenti amerikan paralajmëroi hapur Iranin se SHBA do të ndërhynte nëse demonstruesit do të vriteshin. “U them udhëheqësve iranianë: më mirë mos filloni të qëlloni, sepse edhe ne do të fillojmë të qëllojmë,” deklaroi Trump gjatë një takimi me drejtues të industrisë së naftës në Shtëpinë e Bardhë.
Komentet e presidentit mund të ndiqen edhe përmes videos së publikuar në krye të faqes.



