Presidenti Trump planifikon të tërheqë edhe më shumë trupa nga Gjermania. Kritikat vijnë nga Kongresi: Republikanët fflasin për një sinjal potencialisht të gabuar për Presidentin rus Putin.
Sipas deklaratave të fundit të Presidentit amerikan Donald Trump, SHBA-të synojnë të zvogëlojnë praninë e trupave të tyre ushtarake në Gjermani edhe më shumë sesa ishte pëlanifikuar në fillim. “Ne do ta zvogëlojmë numrin ndjeshëm më shumë se 5,000” trupa amerikane, u tha Trump gazetarëve në Floridë të shtunën.
Vendimi i Pentagonit
Republikanët me ndikim kritikojnë tërheqjen e trupave amerikane. Vetëm një ditë më parë, Departamenti Amerikan i Mbrojtjes kishte urdhëruar një tërheqje të pjesshme të trupave amerikane nga Gjermania. Republikanët kryesorë nga të dy dhomat e Kongresit reaguan me skepticizëm.
“Jemi shumë të shqetësuar për vendimin për të tërhequr një brigadë amerikane nga Gjermania”, thanë senatori Roger Wicker dhe përfaqësuesi Mike Rogers në një deklaratë të përbashkët. Rogers kryeson Komitetin e Shërbimeve të Armatosura të Dhomës së Përfaqësuesve, ndërsa Wicker kryeson Komitetin e Shërbimeve të Armatosura të Senatit.
Gjermania i është përgjigjur kërkesave të Presidentit Donald Trump dhe i ka rritur ndjeshëm shpenzimet e saj për mbrojtjen. Për më tepër, Gjermania ka qenë shumë bashkëpunuese në luftën e Iranit, për shembull në lidhje me të drejtat e fluturimit, vazhdoi deklarata.
Sinjal i gabuar për Putinin
Aleatët tashmë po shpenzojnë më shumë para – por derisa kjo të rezultojë efektive, SHBA-të duhet të mbajnë një prani në terren, sipas Rogers dhe Wicker. Një reduktim i parakohshëm rrezikon të dobësojë frikësimin dhe i dërgon sinjal të gabuar shefit të Kremlinit, Vladimir Putin.
“Në vend që të tërheqë plotësisht trupat nga kontinenti, është në interes të SHBA-së të mbajë një prani të fortë parandaluese në Evropë duke i zhvendosur këta 5,000 ushtarë amerikanë në lindje”, sugjerojnë ata.
Tërheqja e parashikueshme
Politikanët gjermanë po flasin për një sinjal shqetësues, por bëjnë thirrje për qetësi. Ministri gjerman i Mbrojtjes, Pistorius, e përshkroi tërheqjen e pjesshme të trupave nga Gjermania si të pritshme. Në të njëjtën kohë, Ministri kërkoi deeskalim: Bashkëpunimi intensiv ushtarak me SHBA-në do të vazhdojë pavarësisht gjithçkaje.
“Prania e ushtarëve amerikanë në Evropë dhe veçanërisht në Gjermani është në interesin tonë dhe në interes të SHBA-së”, theksoi Pistorius. SHBA-ja ka përqendruar funksione të rëndësishme ushtarake këtu – për shembull, për interesat e tyre të politikës së sigurisë në Lindjen e Mesme.
Forcat amerikane në Gjermani
Sipas të dhënave nga prilli, në Gjermani ka më shumë ushtarë amerikanë se në çdo vend tjetër evropian. Ministria e Mbrojtjes foli të shtunën për “një total prej gati 40,000” ushtarësh amerikanë të stacionuar aktualisht në Gjermani. Në të gjithë Evropën, sipas ushtrisë amerikane, 86,000 ushtarë ishin të stacionuar që nga mesi i prillit.
Këto shifra ndryshojnë rregullisht. Vitin e kaluar, Kongresi Amerikan miratoi një mekanizëm sigurie: Numri i përgjithshëm i trupave përgjithmonë nën juridiksionin e Komandës Evropiane nuk mund të bjerë nën 76,000 për më shumë se 45 ditë.
Një reduktim prej 5,000 ushtarësh nuk do të bënte që SHBA-të të binin nën këtë numër minimal. Megjithatë, Trump kohët e fundit foli edhe për mundësinë e një tërheqjeje të pjesshme nga Italia dhe Spanja./DW



