
Publicisti vëren mungesë përgjegjshmërie në fushatën për kryetar, ndërsa temperatura në Prishtinë ra në 2 gradë.
Publicisti Veton Surroi ka kritikuar ashpër kandidatët për kryetar të Prishtinës, duke i quajtur të papërgatitur për të adresuar nevojat urgjente të qytetarëve.
Sipas tij, më 3 tetor, temperatura në Prishtinë ra në 2 gradë Celsius. Në qytetet evropiane me sistem qendror të ngrohjes, ky moment do të shënonte fillimin e ngrohjes së ambienteve publike. Surroi thekson se, pavarësisht kësaj situate, asnjëri prej kandidatëve nuk ka ngritur çështjen e ngrohjes së shkollave, çerdheve, shtëpive të shëndetit, bizneseve dhe banesave private, përfshirë edhe kryetarin aktual.
Ai vlerëson se kandidatët humbën një mundësi për të treguar përkujdesje dhe përgjegjësi ndaj qytetarëve, por shton se ata kanë ende shansin që të korrigjohen dhe të trajtojnë këtë problem urgjent gjatë ditëve të fundit të fushatës.
“Më 3 tetor, siç parashihej prej ditësh , temperatura në Prishtinë ra në 2 gradë. Në çdo qytetet evropian ku ka sistem qendror të ngrohjes atë ditë do të fillonte ngrohja.
Atë ditë fushata për kryetar të Prishtinës hynte në dhjetë ditët e fundit. Çështjen e ngrohjes së shkollave, çerdheve, shtëpive të shëndetit , bizneseve e shtëpive-me aq sa kam parë- nuk e ngriti asnjëri prej kandidatëve për kryetar të qytetit, përfshirë kryetarin aktual.
Kandidatët për kryetar të Prishtinës që po e kërkojnë votën e qytetarëve humbën dje një shans për ta adresuar nevojën urgjent të po atyre qytetarëve. Kanë sot shansin që të korrigjohen”, shkruan ai.



