
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka akuzuar të mërkurën Kroacinë, Shqipërinë dhe Kosovën se “po krijojnë një aleancë ushtarake kundër Serbisë”.
Nga Pekini, Vuçiq tha se “ushtria serbe është mjaft e fortë për ta penguar çdo agresion të mundshëm nga fqinjësia”, transmeton “Index.hr”, përcjell Koha.net.
“Nuk e kanë formuar rastësisht Prishtina, Zagrebi e Tirana një aleancë ushtarake. Dhe nuk e bën për shkak të Austrisë, Hungarisë apo Sllovenisë, por për shkak të Serbisë…Ne nuk jemi budallenj që nuk e kuptojmë pse e bëtë”, tha Vuçiq për gazetarët, raporton agjencia serbe e lajmeve “Beta”.
“Përsëri ju e lejuat formimin e një aleancë të tillë ushtarake, ju e bëtë atë kundër Serbisë. Ne duhet të jemi pengesë për ata që formojnë një aleancë ushtarake kundër nesh”, shtoi ai.
Vuçiq me “aleancë” la të nënkuptonte se po i referohej deklaratës për bashkëpunim në mbrojtje që Kroacia, Shqipëria dhe Kosova nënshkruan në mars.



