
Me aktivizimin e Njësisë B1, Korporata Energjetike e Kosovës operon tashmë me katër njësi prodhuese dhe garanton stabilitet energjetik në vend.
Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka njoftuar se nga ora 15:00 e ditës së sotme, Njësia B1 është rikthyer në operim dhe aktualisht po funksionon në mënyrë të qëndrueshme, në përputhje me të gjitha parametrat teknikë dhe të sigurisë.
Sipas KEK-ut, me rikthimin e kësaj njësie, korporata tani po operon me katër njësi prodhuese, çka nënkupton kapacitet të plotë të prodhimit vendor të energjisë elektrike dhe stabilitet të sistemit elektroenergjetik në vend.
Në njoftim thuhet se ndalesa e përkohshme e Njësisë B1 kishte ardhur si pasojë e rrjedhjeve të avullit në sistemin e gypave brenda kaldajës. Ky problem është adresuar përmes ndërhyrjeve teknike profesionale dhe sanimeve të planifikuara, pa rrezikuar sigurinë apo integritetin e njësisë.
KEK thekson se ekipet teknike kanë vepruar me përkushtim maksimal për të garantuar rikthimin e sigurt të njësisë në operim, duke siguruar furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike për qytetarët dhe ekonominë e vendit.



