Osmani takon familjet më të goditura në Reçak: Kosova qëndron mbi sakrificën e martirëve

Presidentja viziton familjet Kamberi dhe Ismajli, të goditura rëndë nga Masakra e Reçakut, duke theksuar se e vërteta mbetet themeli i shtetit.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka vizituar dje në Reçak familjet Kamberi dhe Ismajli, te të cilat, siç u shpreh ajo, historia mbetet një plagë e hapur pas humbjeve të rënda gjatë Masakrës së Reçakut.

banner

Osmani theksoi se këto dy familje janë goditur rëndë nga humbja e familjarëve të tyre, ndërsa dhimbja në këto vatra nuk është shuar, por është shndërruar në qëndresë. Ajo përmendi rastin e Hazbi Kamberit, i cili u plagos në moshën 15-vjeçare, si dhe babain e tij, i cili u masakrua mizorisht pasi refuzoi të braktiste shtëpinë. “Këto histori shpërfaqin të vërtetën që nuk mund të fshihet asnjëherë,” u shpreh presidentja.

Presidentja Osmani përmendi edhe familjen Ismajli, ku Muhamet Ismajli humbi gjashtë kushërinjtë e tij në masakër, ndërsa fati i Sahides nga kjo familje ende mbetet i pazbardhur, pavarësisht se varri i saj është i hapur.

“Sot, Reçaku jeton në secilën nga këto familje, në secilën derë që krimi nuk arriti ta mbyllë, në secilën zemër që refuzon harresën, si dhe në fëmijët e të rinjtë që tregimin për Reçakun do ta përcjellin brez pas brezi,” theksoi Osmani.

Në përfundim, presidentja nënvizoi se Kosova qëndron mbi këtë sakrificë, duke shtuar se e vërteta e pamohueshme dhe e përhershme është themeli mbi të cilin është ndërtuar shteti i Kosovës.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.