
Kategoritë e dala nga lufta kanë reaguar ndaj kërkimfaljes së kryetarit të Kuvendit, Dimal Basha, për artikullin anti-UÇK, në të cilin ai figuron si bashkautor.
Në reagimin e tyre thuhet se kërkimfalja e kryeparlamentarit nuk është e mjaftueshme. OVL e UÇK-së bën të ditur se qëndrimi i tyre mbetet i prerë: Dimal Basha duhet të shkarkohet menjëherë nga posti i Kryetarit të Kuvendit.
“Qëndrimet e shprehura në punimin e tij shkencor të vitit 2012, ku është cenuar lufta jonë çlirimtare dhe UÇK-ja, bien ndesh me betimin kushtetues që ai ka dhënë si deputet dhe Kryetar i Kuvendit, si dhe me respektin ndaj themeleve të shtetit tonë, të ngritura mbi sakrificën e Dëshmorëve dhe Luftëtarëve të lirisë. Për këtë arsye, qëndrimi ynë mbetet i qartë: Dimal Basha duhet të shkarkohet menjëherë nga posti i Kryetarit të Kuvendit. Jemi në pritje të iniciativës së deputetëve të Kuvendit të Kosovës, të cilëve tashmë u kemi drejtuar një kërkesë zyrtare për këtë çështje”, thuhet në reagim.
Pas mbledhjes së Kryesisë, Dimal Basha kërkoi falje, duke theksuar se ka qenë i pavëmendshëm gjatë kohës së studimeve dhe se nuk kishte lexuar punimin ku shprehej kundër UÇK-së. Ai shtoi se ka dërguar një email për të kërkuar që emri i tij të hiqet nga artikulli.



