
Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë qenë të ashpra ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, dhe qeverisë së tij, duke e akuzuar se po e favorizon Listën Serbe, duke e bërë atë aleate në bllokimin e institucioneve për një pozitë të parëndësishme. Por Vetëvendosje përgjigjet me kundërakuza. Çfarë u tha?
Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, e akuzoi Kurtin për politika “korruptive” që sipas saj kanë favorizuar Listën Serbe, duke e bërë atë aleate në bllokimin e institucioneve për një pozitë që Bajrami e konsideron të parëndësishme. Ajo gjithashtu kritikoi situatën ekonomike, duke theksuar rritjen e çmimeve, deficitin tregtar dhe mungesën e investimeve qeveritare, që sipas saj po dëmtojnë prodhimin vendor dhe po e shtrëngojnë ekonominë.
“Politika korruptive e Albin Kurtit arriti ta faktorizojnë Listën Serbe, duke e bërë aleate në bllokimin e institucioneve për një pozitë krejtësisht të parëndësishme në Kryesinë e Kuvendit. Rrallë kush e di se kush ka qenë nënkryetar Listës Serbe në kryesinë e Kuvendit prej se ekziston ky institucion. Por është fakt se me Albinin në qeveri kjo parti ka 9 deputetë në Kuvendin e Republikës, pavarësisht akuzave që askush nuk i mohon institucionet e udhëhequra nga Albin Kurti dhe njerëzit e tij kanë miratuar pjesëmarrjen e tyre në zgjedhjet e 9 shkurtit”, ka shkruar Bajrami në Facebook.
“Përderisa bllokada vazhdon nga Kurti dhe aleatët e tij, Kosova po rrëshqet drejt një krize të thellë ekonomike. Sipas ASK-së norma e inflacionit është 4.3%, ndërsa për shportën bazë të konsumit inflacioni arrin në numra dyshifrore, deficiti tregtar po thellohet me shifra frikësuese, investimet kapitale të nivelit qendror janë më të ulëtat në histori e institucionet financiare janë në mungesë të thellë likuiditeti. Në të njëjtën kohë, energjia elektrike për bizneset më vitale në vend është 300% më e shtrenjtë. Thënë më thjeshtë, çmimet po rriten çdo ditë, importojmë pothuajse çdo gjë që konsumojmë, qeveria nuk investon para në ekonomi dhe secila familje sot është në kredi. Ndërkohë, atë pak ekonomi që kishim po shkatërrohet, sepse po sakrifikohet prodhimi vendor për të favorizuar tregtarët e energjisë, të cilët tashmë edhe me emra shihet se janë njerëz të afërt me Albin Kurtin”, ka shkruar Bajrami.
Nga ana tjetër, deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, theksoi se shteti është bllokuar për një pozitë që nuk ka ndikim, duke e quajtur këtë një shenjë të populizmit dhe mungesës së përgjegjësisë. Ajo paralajmëroi se pa një Kuvend funksional nuk mund të ketë demokraci, por vetëm qeveri autoritare me legjitimitet të diskutueshëm.
“Shteti sërish i bllokuar për një pozitë që s’ka as peshë, as ndikim. Populizmi dhe mungesa e përgjegjësisë po i kushtojnë vendit edhe 30 ditë pa funksionim. Kush nuk di të qeverisë, bën teatër me institucione. Republika nuk është lodër për interesa partiake”, tha ajo.
“Qytetarët nuk votuan për një kuvend të heshtur, për deputetë që s’kanë më as emër e as zë. Ata votuan për përfaqësim, për ndryshim dhe për përgjegjësi. Pa Kuvend funksional, nuk ka demokraci, ka vetëm qeveri autoritare me mungesë totale të legjitimitetit ligjor e moral. Kosova po kalon ditet me te veshtira te saj”, përfundoi Musliu për GazetaBlic.
Lidhur me këto akuza, Vetëvendosje ka reaguar përmes zëdhënësit Arlind Maxhuka, i cili hodhi poshtë pretendimet e Bajramit, duke theksuar se Lista Serbe ka pasur ndikim edhe gjatë qeverisjeve të kaluara dhe se kritikat ndaj Kurtit janë të pabazuara, duke përmendur marrëveshjet e PDK-së dhe LDK-së me Listën Serbe për të theksuar kontradiktat e opozitës.



