
Glauk Konjufca, nënkryetar i VV-së, ka mbajtur një fjalim relativisht të gjatë në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të VV-së.
Në fjalimin e tij, Konjufca ishte goxha i ashpër me partitë opozitare.
“Mendja ma thotë që sivjet e pamë përpjekjen më të rrezikshme për mosnjohjen e rezultatit zgjedhor” – ishte fjalia hyrëse e Konjufcës në një kritikë të ashpër ndaj opozitës e Gjykatës Kushtetuese, shkruan Gazeta Politika.
“Me ose pa vetëdije, partitë politike që e kanë shpallur veten kundërshtare të VV-së, qysh prej ceritifikimit të rezultateve të zgjedhjeve janë përpjekur ta thonë vetëm një gjë. E kjo është që vetëm një votë më pak se 50 për qind dhe shteti mbetet pa Kuvend” – e vazhdoi kritikën Konjufca.
Tutje, Konjufca e përdori një togfjalësh të rëndë, duke i akuzuar PDK-në, LDK-në e AAK-në për “qëndrime anti-shtetërore”.
“Të jesh kundër themelimit të Kuvendit do të thotë të jësh kundër vetes. Në fund të fundit, mund të thuhet se kriza institucionale zgjati sepse, në pjesën e parë, partitë opozitare vendosën që VV-ja të mos e ketë për kryetare të Kuvendit Albulena Haxhiun. Kurse në pjesën e dytë, kjo krizë po zgjat ende, sepse ato po mendojnë që nuk ka Republikë dhe Kuvend nëse nuk zgjidhet një nënkryetar i Listës Serbe. Kur ishte çështja pra te kryetarja shqiptare e VV-së, partitë kundërshtare u bën shumë lehtë bashkë për ta bllokuar. Kurse kur erdhi çështja të nënkryetar serb jashtë Listës Serbe, pra një nënkryetar jashtë LS, u mobilizuan që kjo të mos ndodh. Të dy këto qëndrime janë shumë anti-shtetërore” – akuzoi Konjufca, transmeton Gazeta Politika.



