
Deputeti i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, ka komentuar vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese, duke theksuar se qasja e saj deri më tani ka qenë më shumë politike se kushtetuese dhe se vendimi i saj i ardhshëm mund të ketë pasoja të rëndësishme për funksionimin e institucioneve të Kosovës.
Tutje, Konjufca, theksoi se vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk mund t’i japë Listës Serbe të drejtën e vetos mbi Republikën e Kosovës.
“Edhe Gjykata Kushtetuese i kontribuoi krizës. Qasja e saj ishte më shumë politike se kushtetuese. Tash Gjykata është para një vendimi të madh. Kushtetuta e Republikës tonë nuk i jep kurrëfar supremacie në relacion me Kryesinë e Kuvendit të Kosovës partisë fituese serbe. Prandaj, Gjykata nuk ka çfarë të interpretojë përtej Kushtetutës. Ky është akti më i lartë i Republikës. Ose do të çelet rruga që Kuvendi të vazhdojë ose do të shkojmë në zgjedhje të reja. Ama skenar i tretë, të cilin as që mund ta imagjinojë, është ai më i keqi i mundshëm. Një skenar në nivel të tradhtisë shtetërore, do të thoja unë. Një skenar i cili ai jep Listës Serbe dhe Beogradit të drejtën e vetos mbi Republikën e Kosovës. Republika e Kosovës nuk mund të jetë peng i Listës Serbe. Ne kemi Kuvendin dhe do ta bëjmë Qeverinë” – tha Konjufca, transmeton Gazeta Politika.



