DW: Kritika ndaj dyshimeve mbi vendimet e Kushtetueses së Kosovës

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, hodhi akuza të forta ndaj Gjykatës Kushtetuese duke e quajtur “hije politike të opozitës” ndaj Vetëvendosjes.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka shprehur shqetësimin për “deklarimet e pamatura të zyrtarëve të lartë shtetërorë dhe të zgjedhurve politikë”, kundër vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Sipas organit më të lartë të drejtësisë, “pavarësia e Gjykatës Kushtetuese nuk është privilegj i gjyqtarëve që ajo ka, por është themel i shtetit të së drejtës”.  Këto reagime dhe të tjera u bënë pasi kryeministri në detyrë, Albin Kurti dhe ish-kryeparlamentari Glauk Konjufca, thanë në një mbledhje të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosja se “gjykata më e lartë në vend po funksionon si hije politike e opozitës ndaj Vetëvendosjes”. Akuzat e ish-kryeparlamentarit Konjufca dhe Albin Kurtit, të cilin këtë të fundit partia e tij Vetëvendosja e nominoi edhe për një mandat për kryeministër, u bënë pas vendimit të së premtes të Kushtetueses e cila vendosi masë të përkohshme përmes së cilës u ka ndaluar deputetëve të ndërmarrin veprime si dhe ka ndaluar zhvillimin e ndonjë procedure për formimin e Qeverisë së re të Kosovës.

banner

Reagim i Gjykatës Kushtetuese

Ishin këto deklarata që u cilësuan si tejet shqetësuese nga Gjykata Kushtetuese. “Pavarësia dhe paanshmëria e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës janë të mbrojtura me Kushtetutë, dhe asnjë institucion, parti politike apo individ nuk mund të ndërhyjë në punën e saj. Çdo përpjekje për të ushtruar presion mbi gjyqtarët kushtetues përbën cenim të parimit themelor të ndarjes së pushteteve dhe minon besimin e qytetarëve në sundimin e ligjit dhe në vetë demokracinë”, thuhet në reagimin e Kushtetueses. Sipas saj, “vendimet e Gjykatës Kushtetuese bazohen ekskluzivisht në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, në praktikën e saj gjyqësore, si dhe në standardet ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut”.

Në reagimin e saj, Kushtetuesja thekson, se çdo deklaratë që tenton të relativizojë apo paragjykojë vendimet e Gjykatës Kushtetuese është jo vetëm e papërgjegjshme, por edhe e dëmshme për zhvillimin demokratik të vendit. Ajo apelon tek të gjitha palët që “të respektojnë pavarësinë e saj, të përmbahen nga deklaratat që cenojnë integritetin e gjyqtarëve dhe vendimmarrjen e tyre të pavarur, dhe të kontribuojnë në forcimin e rendit kushtetues.”

BE: Të ndalen sulmet ndaj gjyqësorit

Edhe kreu i Misionit EULEX në Kosovë, Giovanni Pietro Barbano i cilësoi të papranueshme sulmet deklarative ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve duke kërkuar që ato të ndalen. “Pavarësia gjyqësore është një nga gurthemelët e sundimit të ligjit: pavarësia e gjyqtarëve duhet të respektohet nga të gjithë, në çdo kohë. Ndërhyrja e panevojshme përmes sulmeve personale të drejtuara drejtpërdrejt ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve që i kryejnë detyrat e tyre është gjithmonë e papranueshme”, shkroi shefi i misionit EULEX në platformën X.

Bashkimi Evropian të martën (09.09) u bëri thirrje të gjithë politikanëve “që të përmbahen nga tendencat për ndërhyrje në gjyqësor”. “Pikëpamja e Bashkimit Evropian në Kosovë është se një nga parimet themelore të sundimit të ligjit është pavarësia e gjyqësorit, dhe se roli i Gjykatës Kushtetuese është të interpretojë dhe të udhëzojë për zbatimin e plotë të Kushtetutës së Kosovës. Është përgjegjësi e të gjithëve, përfshirë aktorët politikë dhe institucionet, të respektojnë këtë, dhe të përmbahen nga çdo formë e ndërhyrjes në punën e gjyqësorit, përfshirë përmes sulmeve personale”, tha Nikola Gaon, zëdhënës i Zyrës së BE-së në Kosovë.

Edhe Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, dhe disa  ambasadorë të vendeve të Quint-it,  shprehën shqetësim së fundmi për ngërçin e vazhdueshëm politik dhe institucional që po ndodh në Kosovë, edhe pas zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit. Ambasadori gjerman Rohde shpreh shqetësim edhe për diskursin publik të kohëve të fundit, që sipas tij, “po hedhen dyshime mbi vendimet gjyqësore” dhe sipas tij, “zhvillime të tilla rrezikojnë të gërryejnë besimin e publikut në pavarësinë dhe integritetin e gjyqësorit”.

Përplasja me Lëvizjen Vetëvendosje

Gjykata Kushtetuese të premten e shkuar vendosi masë të përkohshme deri në fund të shtatorit ndaj Kuvendit të Kosovës, pas një ankese të Listës Srpska së cilës deputetët e Kuvendit nuk ia votuan propozimin e saj për nënkryetar Kuvendi. E pikërisht për ankesën e Listës Srpska që po e shqyrton Gjykata Kushtetuese, dhe masës që e vendosi, i ashpër ndaj Kushtetueses ishte ish-kryeparlamentari Glauk Konjufca që vjen nga Lëvizja Vetëvendosja. “Gjykata nuk ka çka të interpretojë përtej Kushtetutës, ky është akti më i lartë i Republikës, ose do të çelet rruga që Kuvendi të vazhdojë, ose do të shkojmë në zgjedhje të reja. Por skenari i tretë të cilin as që mund ta imagjinoj është ai më i keqi i mundshëm. Një skenar në nivel të tradhtisë shtetërore do të thosha unë, një skenar i cili ia jep Listës Serbe dhe Beogradit të drejtën e vetos mbi Republikën e Kosovës”, ka thënë Konjufca.

Kritika nga shoqëria civile

Këto deklarime dhe sulmet e vazhdueshme ndaj Gjykatës Kushtetuese, për njohësit e sistemit të drejtësisë janë tejet shqetësuese. Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), i tha DW-së se “liderët institucionalë, përfshirë Kryeministrin Kurti, kanë bërë zotim publik tek Këshilli i Evropës se do ndalin sulmet politike dhe do respektojnë pavarësinë e institucioneve të drejtësisë”, por tash sipas tij po ndodh e kundërta. “Si asnjëherë më parë ministra dhe deputetë të shumicës parlamentare sulmojnë dhe etiketojnë si Gjykatën Kushtetuese ashtu edhe gjyqtarë dhe prokurorë individualë duke cenuar dhe dëmtuar besimin e publikut në këto institucione”, thotë Miftaraj.

Sipas tij, “në raport me partnerët ndërkombëtarë kjo qasje është cenim i paprecedentë i vlerave dhe parimeve bazë të demokracisë, sundimit të ligjit dhe qeverisjes së mirë. Jo rastësisht sot Kosova është ende në masa ndëshkuese nga BE, me stagnim në agjendën evropiane dhe me humbje të qindra miliona eurove nga Plani i Rritjes së BE-së”.

Edhe një njohës tjetër i sistemit të drejtësisë, Blerim Burjani, i tha DW-së se “është parim themelor që të mos ketë ndërhyrje në sistemin e drejtësisë”. “Në sytë e ndërkombëtarëve është e kuptueshme që nuk është e pranueshme të ndërhyhet në gjyqësor, pra në opinion kjo gjykatë duhet të jetë e pavarur, e jo t’i bëhet presion. Por të gjitha partitë kur nuk iu konvenojnë vendimet e Gjykatës, ato ndërhyjnë, dhe kjo është loja politike që bëhet. Ndonëse unë kam rezervat e mia për profesionalizimin e gjyqtarëve dhe përzgjedhjes së tyre, megjithatë, kjo gjykatë dhe puna e saj duhet të jenë të pranueshme nga politika vendore dhe ajo ndërkombëtare. Në të kundërtën dalin telashe siç po ndodhin. Pra Kosova ka probleme me pavarësinë e gjyqësorit kushtetues”, thotë Burjani.

Sidoqoftë ngërçi politik dhe institucional në Kosovë po vazhdon, dhe nuk dihet nëse do të ketë një zhbllokim edhe pas masës së përkohshme të Gjykatës Kushtetuese ndaj Kuvendit që skadon më 30 shtator. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, bëri të ditur se të martën më 09.09, do t’i dërgojë Gjykatës Kushtetuese komentet e saj për çështjen e konstituimit të Kuvendit. Këshilltari i saj, Bekim Kupina, nuk dha hollësi lidhur me përmbajtjen e komenteve, por tha se “qëndrimi i presidentes gjithnjë ka qenë se askush nuk duhet të ketë të drejtën të bllokojë institucionet, e rrjedhimisht shtetin”.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.