
Koordinatorja e Komiteteve në Lëvizjen Vetëvendosje, Dejona Mihali, ka reaguar ndaj Gjykatës Kushtetuese, pas vendimit të saj që i konsideroi të pamatura deklaratat e kryeministrit Albin Kurti dhe të tjerëve nga VV-ja kundër këtij institucioni.
Mihali ka kritikuar vendimin e Gjykatës, duke theksuar se masa e marrë dhe aktgjykimi që pritet për Listën Serbe rrezikojnë të çojnë Kosovën drejt një modeli etnik të qeverisjes, që ajo e përshkruan si etnokraci.
“Paska reaguar Gjykata Kushtetuese. Rikujtojmë se Kosova është demokraci. Gjykata Kushtetuese me masën që mori dhe me Aktgjykimin që pritet të nxjerrë për Listën Serbe po do ta shndërrojë vendin në etnokraci.”
Ajo gjithashtu ka përmendur rolin e planit të Ahtisaarit në garantimin e të drejtave të minoriteteve, duke sugjeruar se përpjekjet e tij nuk shkuan aq larg sa mund të kishte shkuar Gjykata Kushtetuese.
Reagimi i Mihalit vjen në një kohë kur debati mbi Listën Serbe dhe vendimet e institucioneve të drejtësisë vazhdon të jetë një nga çështjet më të nxehta politike në vend.
“Po të ishte kjo zgjidhja e kishte shkruar Ahtisaari. Se ai siç e di bota mbarë u kujdes deri në pambarim për të garantuar minoritet në Kosovë në kurriz të shqiptarëve. Por as ai nuk guxoi më tutje. Pse duhet Gjykata Kushtetuese?”, ka shkruar ajo dje në Facebook.



