
Opinionisti Agon Maliqi ka reaguar lidhur me krizën politike në Kuvend të Kosovës, të krijuar për shkak të pozitës së nënkryetarit që i takon komunitetit serb.
Ai tha se nëse dikush po e përdor këtë pozitë si formë vetoje për themelimin e institucioneve, atë nuk po e bëjnë serbët, por shumica shqiptare.
“Nëse dikush po e përdor pozitën e nënkyetarit të Kuvendit si veto për themelimin e institucioneve, atëherë këtë gjë po e bën shumica shqiptare – serbët nuk është se nuk po nominojnë kandidatë që ne të mund të ecim tutje pa ta”, tha Maliqi.
Ai kritikoi ashpër presidenten Vjosa Osmani, duke thënë se gjatë këtij viti ajo ka dështuar ta luajë rolin e saj kushtetues si unifikuese e popullit.
“Presidentja këtë vit gjatë krizës politike dhe institucionale ka qenë absolutisht nën nivelin e detyrës, duke e kthyer zyrën e unifikuesit të popullit në një mjet politik personal. Nëse me këto manovra partizane mendon se mund të sigurojë mbështetje për mandat të dytë, i ka bërë vetes antireklamën më të madhe të mundshme”, deklaroi ai.



