
I pyetur për skandalin me ministrin e Jashtëm Ferit Hoxha, ku ky i fundit i cilësonte shqiptarët në Maqedoni ‘idiotë’, Berisha u shpreh se ajo është një deklaratë kriminale, antishqiptare dhe e turpshme.
Sipas tij, të quash idiotë shqiptarët e Maqedonisë, do të thotë të jesh një tradhtar më i keq se Pashiqi i Shqipërisë.
Geraldina Kola: Zoti Berisha, Kushtetuta obligon Tiranën zyrtare të mbrojë shqiptarët jashtë kufijve, por ministri i Jashtëm, Ferit Hoxha, i quani idiotë. Ku është dallimi mes kësaj deklarate të Hoxhës dhe thirrjeve të maqedonasve që thonë, shqiptari i mirë është shqiptari i vdekur?
Sali Berisha: Kjo është një deklaratë kriminale, antishqiptare, e turpshme, prej një gangsteri, që ka humbur çdo integritet, që ka humbur çdo element të ndërgjegjes kombëtare dhe tejkalon. Bravo, ju e thoni vetë, barazohet me ultranacionalistët më të verbër maqedonas dhe serbë. Dorëheqja e tij urgjente është akti i domosdoshëm. Ky etiketim që u bëri ai dhe përpjekja e turpshme që bëri për ta fshehur, unë e përgëzoj zotin Këlliçi, i cili zbuloi një akt të tillë kriminal, një akt të tillë të pashembullt.
Të quash idiotë shqiptarët e Maqedonisë, se ata nuk mbrojnë Pashiqin, kryeministrin më të mirë të serbëve pas Pashiqit, Edi Ramën, do të thotë të jesh një tradhtar më i keq se ai. Një gjuhë gangsteri dhe vagabondi. Për të cilën ai duhet të japë menjëherë dorëheqje. Dhe jo të fshihet. Belind Këlliçi i nxori dokument, i nxori mesazhet e ambasadorit.
Shikoni se kush e ka, shikoni çfarë gangsteri është në politikën e jashtme të Shqipërisë, drejton politikën e jashtme. Sigurisht, vetëm ai mund të zgjidhej nga Edi Rama, nuk mund të zgjidhej kush tjetër. Akt i pashembullt, i padëgjuar ndonjëherë. Dhe pse? Sepse s’mbrojtën Edi Ramën ata. Po si mund të mbrohet Edi Rama, një tradhtar i kombit? Pse je ti lakej i tij? E dënueshme, plotësisht.



