
Aktori Gramos Agisholli ka bërë një apel publik për të ndihmuar 12-vjeçaren Urtina Korenica, e cila prej tre vitesh po përballet me sëmundjen e rëndë Ewing Sarcoma.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Agisholli tha se Urtina është vajza e mikut të tij të ngushtë, Visar Korenica, dhe se familja ka bërë çdo sakrificë të mundshme për ta përballuar trajtimin, por kostot e mjekimit jashtë vendit janë bërë të papërballueshme.

“Sot po ju drejtohem jo vetëm si Gramos, por si një prind që beson thellësisht te solidariteti ynë shoqëror. Ka raste kur jemi para sfidave që asnjë familje nuk mundet me i përballu e vetme”, ka shkruar Agisholli.
Ai u bëri thirrje qytetarëve që të bashkohen për ta ndihmuar Urtinën.
“Çdo kontribut financiar, sado i vogël, është një shpresë më shumë për shërimin e Urtinës”, ka theksuar ai.
Agisholli ka publikuar edhe të dhënat bankare dhe lidhjen e fushatës në GoFundMe, duke ftuar të gjithë ata që kanë mundësi të kontribuojnë për trajtimin e 12-vjeçares.



