
Dua Lipa ka marrë një dedikim të veçantë nga ylli kolumbian Shakira, e cila e ka ftuar këngëtaren shqiptare në skenë gjatë koncertit të saj në Madrid.
Dy yjet e muzikës performuan së bashku këngën “Antología”, ndërsa Shakira nuk i kurseu fjalët e admirimit për Duan.
“Sot deklarohem zyrtarisht fanse e saj”, tha Shakira gjatë prezantimit të Dua Lipës.
Pasi e përqafoi atë në skenë, këngëtarja kolumbiane vazhdoi me komplimentet.
“Dikush duhet të më pickojë. Po kush është kjo perëndeshë?”, u shpreh Shakira.
Dy artistet më pas interpretuan së bashku “Antología”, një prej këngëve më të njohura të Shakirës, pjesë e albumit “Pies Descalzos” të vitit 1995. Kjo ishte hera e parë që Dua dhe Shakira bashkuan zërat në skenë.
Takimi muzikor në Madrid vjen pasi Dua Lipa kishte interpretuar “Antología” në spanjisht gjatë koncertit të saj në Bogotá në fund të vitit 2025.
Asokohe Shakira kishte reaguar publikisht, duke treguar se ishte emocionuar nga interpretimi i Duas në qytetin ku ajo e kishte shkruar këngën vite më parë.
Shakira kishte shprehur më herët edhe dëshirën për të bashkëpunuar me Dua Lipën, duke vlerësuar njëkohësisht mënyrën se si ajo këndon në gjuhën spanjolle.
Mbrëmjen e kaluar në Madrid, dy artistet e realizuan për herë të parë këtë dëshirë duke performuar së bashku para publikut.



