
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka takuar bashkatdhetarë dhe veprimtarë të kësaj partie në Bruksel, në organizimin e Darkës së Lamës nga dega e LDK-së në Beneluks.
Abdixhiku tha se gjatë takimit ishte ndier si në shtëpi, ndërsa falënderoi pjesëmarrësit për pritjen dhe besimin e treguar ndaj tij.
“Sonte, në Bruksel, mes bashkatdhetarëve dhe bashkëveprimtarëve të mi të LDK-së, u ndjeva si në shtëpi. Ju falënderoj për pritjen dhe për bisedat që patëm. E çmoj besimin tuaj dhe e di mirë çfarë përgjegjësie më ngarkon”, shkroi Abdixhiku.
Ai vlerësoi kontributin historik dhe të vazhdueshëm të mërgatës për Kosovën, duke theksuar se shumë bashkatdhetarë morën mbi vete përgjegjësi të mëdha për atdheun, pavarësisht se jetën e ndërtuan larg tij.
“Një pjesë e historisë së Kosovës është shkruar në mërgatë, nga njerëz që ndërtuan jetën larg Kosovës dhe morën përsipër më shumë sesa u takonte për fatin e atdheut tonë. Edhe sot, mundi i tyre është vlerë e vendit tonë”, deklaroi ai.
Kreu i LDK-së falënderoi degën e partisë në Beneluks për organizimin, duke thënë se përmes Darkës së Lamës bashkatdhetarët po e ruajnë dhe po e promovojnë kulturën shqiptare në zemër të Evropës.



