
Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vlora Çitaku, i ka reaguar kryetares së Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova, pasi kjo e fundit deklaroi se institucioni që drejton është përballur me dezinformata dhe përpjekje për pengimin e drejtësisë.
Çitaku ka kritikuar Trendafilovën për adresimin përmes një videoje pa mundësi për pyetje nga gazetarët, duke e akuzuar për heshtje ndaj shqetësimeve të ngritura rreth funksionimit të Speciales.
“Znj. Trendafilova, pas vitesh heshtjeje ndaj shqetësimeve tona, një video-adresim pa pyetje nuk i mbulon padrejtësitë e kësaj gjykate dhe as ju shkarkon nga përgjegjësia”, ka shkruar Çitaku.
Ajo ka pretenduar se, nën drejtimin e Trendafilovës, Specialja e ka cenuar rëndë besimin në drejtësi.
“Një proces i padrejtë, mungesë transparence, llogaridhënie e pamjaftueshme dhe mangësi serioze në mbikëqyrje. Shqetësimet e ekspertëve ndërkombëtarë për barazinë e palëve, shkeljen e të drejtave të njeriut dhe monitorimin e pavarur kërkojnë përgjigje konkrete. Ju na ofroni deklarata vetëlavdëruese”, ka deklaruar ajo.
Sipas Çitakut, pavarësia e gjykatës dhe prejardhja ndërkombëtare e gjyqtarëve nuk i vendosin ata mbi ligjin dhe nuk përbëjnë garanci për pagabueshmëri.
“Pavarësia nuk ju vendos mbi ligjin. Prejardhja ndërkombëtare e gjyqtarëve nuk është certifikatë pagabueshmërie. As titujt, as betimet dhe as videot nuk e zëvendësojnë profesionalizmin dhe drejtësinë që duhet të dëshmoni në vendimet tuaja”, ka shkruar Çitaku.
Ajo i ka kërkuar Trendafilovës të dalë para gazetarëve dhe të japë përgjigje për mënyrën e drejtimit të Dhomave të Specializuara.
“Përgjegjësia është edhe personalisht juaja, znj. Trendafilova. Dilni përballë gazetarëve, mos u fshihni siç keni bërë qe dy vite. Përgjigjuni pyetjeve të vështira. Jepni llogari për mënyrën se si e keni drejtuar këtë gjykatë. Kritikat nuk mund t’i zhvlerësoni me etiketën e ‘dezinformimit’, ndërsa vetes t’i rezervoni të drejtën për të folur pa u sfiduar”, ka theksuar ajo.
Çitaku ka paralajmëruar se institucionet e Kosovës do ta mbështesin mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së në procedurën e apelit dhe do t’i kundërshtojnë, siç ka thënë ajo, padrejtësitë përmes mjeteve ligjore dhe institucionale.
“Kërkojmë drejtësi për çlirimtarët! Sepse padrejtësia nuk bëhet drejtësi vetëm pse shqiptohet në Hagë. Kur shkelen të drejtat dhe pushteti gjyqësor ushtrohet pa llogaridhënie, kemi të bëjmë me një krim kundër vetë drejtësisë. Dhe këtë nuk do ta pranojmë, nuk do ta heshtim dhe nuk do ta lëmë pa e sfiduar!”, ka përfunduar Çitaku.



