Protestuesi dyshohet se u qëllua në sy me plumb gome, reagojnë Tifozat Kuq e Zi: Lutemi për ty, vëlla

Një protestues ka mbetur i lënduar në sy gjatë protestës së së shtunës në Tiranë, ndërsa në rrjetet sociale pretendohet se ai është qëlluar me plumb gome nga Policia e Shqipërisë.

Në pamjet e publikuara, protestuesi shihet i gjakosur në pjesën e syrit. Deri më tani nuk ka konfirmim zyrtar për natyrën dhe shkallën e lëndimeve të tij.

Lidhur me rastin kanë reaguar Tifozat Kuq e Zi, të cilët e kanë identifikuar të lënduarin si Erjon Vishkulli dhe i kanë uruar shërim të shpejtë.

“Erjon Vishkulli, si dhe shumë djem të tjerë që nuk u mungon asgjë në jetën familjare, i dalin në ballë Atdheut për një Shqipëri më të mirë. Shërim sa më të shpejtë. Lutemi për ty, vëlla”, thuhet në reagimin e tyre.

Gjatë protestës, policia ka përdorur gaz lotsjellës, ujë dhe mjete të tjera për shpërndarjen e turmës. Ndërkohë, protestuesit kanë hedhur kokteje molotovi dhe fishekzjarre në drejtim të policisë.

Protestuesit fillimisht janë mbledhur në sheshin “Skënderbej”, për të vazhduar më pas drejt institucioneve të tjera. Dyert e Ministrisë së Mjedisit dhe të Ministrisë së Bujqësisë janë përfshirë nga flakët, të cilat janë shuar pas ndërhyrjes së autoriteteve.

Protestat, të organizuara kryesisht nga studentët, po vazhdojnë prej gati dy javësh. Kërkesa e tyre kryesore është dorëheqja e kryeministrit Edi Rama, i cili ka deklaruar se nuk do të largohet nga posti.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.