
Gjykat e Apelit ka konfirmuar vendimin për paraburgimin e Gani Gecit, të cilit, Gjykata Themelore ia kishte caktuar masën prej 1 muaji paraburgim për kanosjen e gazetarit Lirim Mehemtaj.
“Ju konfirmojmë se Gjykata e Apelit e ka vërtetuar aktvendimin e gjykatës së shkallës së parë, të datës 14.10.2026” – thuhet në përgjigjen e gjykatës së Apelit të datës 23.10.2026.
Me datë 21.10.2026 KALLXO.com ka raportuar se Geci ishte shtrirë në Spitalin Rajonal të Pejës për shkak të gjendjes së tij shëndetësore.
“Kena me u vra”- është fjalia që sipas prokurorisë, Gani Geci ia tha gazetarit Lirim Mehemtaj më datë 11.10.2026, me kushtin që të hiqet ose ndryshohet një postim në rrjetin social Facebook.
Sipas prokurorisë, Geci tutje ka vazhduar me fjalët “Pasha një zot, mos na merr në qafë, ndrro se na duhet me u vra”.
Sipas Prokurorisë këto veprime janë ndërmarrë me qëllim që ta detyrojë të dëmtuarin që ta largonte ose ndryshojë përmbajtjen e postimit.
Kurse më datë 12.10.2026 sipas prokurorisë, Gani Geci kishte shkuar në afërsi të televizonit “TV Dukagjini” dhe kishte postuar video në rrjetin social tik-tok, për t`i bërë me dije të dëmtuarit se ndodhej aty dhe e kishte pritur përreth dy orë.
Në kërkesën për paraburgim, thuhej se kamerat e sigurisë të zyrës ku funksionon portali “VOX Kosova” kanë qenë jashtë funksionit.
Prokuroria në kërkesën për paraburgim kishte përmendur edhe të kaluarën kriminale të të dyshuarit Gani Geci.
“… dhe rrezikut real të përsëritjes së veprës për të cilën dyshohet se e ka kryer tani i dyshuari, se evidencat zyrtare rezultojnë me dënime të mëparshme relevante.” – thuhej në kërkesën për paraburgim të cilën Prokuroria e Prishtinës ia kishte drejtuar Gjykatës.
Prokuror i këtij rasti është Blerim Igrishta.
Gjatë kohës sa Gani Geci ishte në Gjykatë për seancën dëgjimore, vëllai i tij, Fadil Geci foli para mediave duke thënë se “jemi familje shtet-formuese, e dojmë shtetin edhe kur nuk është në favorin tonë”



