
Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas kthimit për rishqyrtim në Kuvend të Ligjit për Dhomat e Specializuara, duke thënë se mbrojtja e luftës çlirimtare është bërë dhe do të vazhdojë kudo në botë.
“Mbrojtjen e luftës çlirimtare e kemi bërë e do ta bëjmë në çdo cep të botës”, ka shkruar Osmani.
Ajo ka deklaruar se UÇK-ja është krenari kombëtare dhe nuk duhet të përdoret si instrument për sulme politike.
“UÇK-ja është krenari kombëtare, jo instrument linçimi politik. Ajo meriton nderim të përhershëm sepse ishte betimi i përgjakur i një populli që sakrifikoi gjithçka për liri”, ka shkruar ajo.
Sipas Osmanit, kthimi i ligjit i ka rrëzuar argumentet e përdorura kundër LDK-së, e cila ishte sulmuar pasi nuk e mbështeti miratimin e tij.
“Por ne nuk e matim drejtësinë e qëndrimeve tona me duartrokitjet e turmës, as me intensitetin e sulmeve. Me kthimin e ligjit propaganda mbeti pa argumente”, ka deklaruar ajo.
Osmani ka thënë se ndaj LDK-së ishte zhvilluar një fushatë linçimi politik dhe se partia ishte barazuar me Listën Serbe.
“Për të mbuluar të vërtetën, u zgjodh linçimi politik kundër LDK-së, partisë që i vuri themelet e lirisë, pavarësisë e demokracisë. Partinë e Ibrahim Rugovës e barazuat me Listën Serbe, me grupin kriminal që kreu agresion ndaj Kosovës, e madje na akuzuat se e urrejmë UÇK-në”, ka shkruar ajo.
Ajo ka kërkuar që mbrojtja e luftës të mos ngatërrohet me përvetësimin e saj politik.
“Por mos e ngatërroni mbrojtjen e luftës me monopolizimin e saj. Nëse ka një të vërtetë që duhet ta kujtojmë gjithmonë, është kjo: krenaria jonë më e madhe është një histori që bashkon Adem Jasharin, Komandantin e UÇK-së, me Ibrahim Rugovën, Komandantin Suprem të luftës sonë çlirimtare. Secili në rrugën e vet, i shërbyen idealit të lirisë së Kosovës”, ka deklaruar Osmani.
“Kjo është historia jonë. E përbashkët! E shenjtë! Dhe atë askush nuk ka të drejtë ta përvetësojë”, ka përfunduar ajo.



