
Vetëm tri ditë para se të vritej në Vitomiricë të Pejës, Arlinda Sylaj Zekaj kishte kërkuar ndërhyrje urgjente nga Prokuroria Themelore në Pejë, duke paralajmëruar për rrezikun ndaj jetës së saj dhe duke kërkuar përgjegjësi nga zyrtarët institucionalë.
Letra e shkruar me dorë, të cilën e ka publikuar Gazeta Sinjali, mban vulën e pranimit të Prokurorisë të datës 22 tetor 2026 dhe i drejtohet kryeprokurores së këtij institucioni.
Në këtë letër, Zekaj kërkonte marrjen e masave ndaj zyrtarëve që, sipas saj, kishin dështuar në përmbushjen e detyrave, duke bartur përgjegjësitë te njëri-tjetri dhe duke lejuar që rreziku për jetën e saj të vazhdonte.
Ajo kërkonte gjithashtu ekzekutimin e menjëhershëm të një urdhri gjyqësor dhe hetimin e zyrtarëve të përfshirë, duke filluar nga Qendra për Punë Sociale.
Në një nga pjesët më shqetësuese të letrës, Zekaj kishte shkruar:
“Uroj që të mos vijë dita kur ju dhe institucionet përgjegjëse të detyroheni të jepni llogari vetëm pasi të jetë marrë jeta ime.”
Në fund të letrës, ajo kishte shprehur zhgënjimin e saj me institucionet, duke shkruar:
“Tani po e kuptoj pse ka kaq shumë vrasje!”
Tri ditë pas dorëzimit të kësaj letre, më 25 tetor, 49-vjeçarja u gjet e vrarë në shtëpinë e saj në Vitomiricë të Pejës.
Sipas raportimeve të Gazetës Sinjali, viktima ishte paraqitur në Polici për të denoncuar dhunën në familje. Rreth orës 20:58, ajo ishte kthyer në shtëpi nga një patrullë policore, ndërsa rreth dhjetë minuta më vonë autoritetet ishin njoftuar për vrasjen e saj.
Për vrasjen dyshohet kunati i viktimës, Albert Sylaj, i cili, sipas raportimeve fillestare, dyshohet se e kishte goditur me sëpatë. Ndërkohë, është raportuar edhe për ndalimin për 48 orë të bashkëshortit të saj, Jeton Sylaj, në kuadër të hetimeve për dhunë në familje.
Publikimi i letrës ngre pyetje për veprimet që institucionet kompetente kishin ndërmarrë pas pranimit të kërkesës së saj urgjente, për zbatimin e urdhrit gjyqësor të përmendur dhe për masat që ishin marrë për mbrojtjen e jetës së saj.



