Anita Haradinaj i reagon Arjeta Fejzës: Tërhiqe deklaratën dhe kërko falje publike

Anita Haradinaj ka reaguar ndaj deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Arjeta Fejza, pasi kjo e fundit deklaroi se kishte lexuar në media pretendime se Ramush Haradinaj kishte ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes.

Duke i cilësuar këto deklarata si shpifje dhe akuza të pabaza, Anita Haradinaj ka kërkuar tërheqjen e tyre dhe kërkimfalje publike, duke paralajmëruar ndjekjen e rrugëve ligjore.

“Shpifjet nuk kalojnë!”, e ka nisur ajo reagimin.

Haradinaj ka theksuar se e drejta për të folur publikisht shoqërohet me përgjegjësi dhe se pozita politike nuk e përjashton askënd nga ky detyrim.

“Askush, pavarësisht pozitës politike që mban, nuk duhet ta konsiderojë veten mbi standardet e përgjegjësisë publike”, ka shkruar ajo.

Ajo ka thënë se nuk synon përplasje personale me deputeten, por nuk do të heshtë përballë deklaratave që, sipas saj, cenojnë dinjitetin, reputacionin dhe familjen e saj.

“Prandaj, të kërkoj publikisht, zonja ‘Deputete’, që ta tërheqësh deklaratën, të distancohesh dhe të kërkosh falje publike për shpifjen dhe akuzat e pabaza, sepse ato rezultojnë të pavërteta dhe cenojnë të drejtat tona”, ka deklaruar Haradinaj.

Ajo ka paralajmëruar se, nëse deputetja nuk tërhiqet dhe nuk kërkon falje, çështjen do t’ua kalojë organeve kompetente.

“Dinjiteti nuk negociohet. Reputacioni nuk duhet të bëhet viktimë e interesave politike. Dhe përgjegjësia për fjalën publike nuk është privilegj, por detyrim”, ka përfunduar Haradinaj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.