
Gjykata e Lartë në Beograd ka caktuar masën e paraburgimit deri në 30 ditë dhe ka lëshuar fletarrest për ish-nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radoiçiq, i cili është nën hetime për sulmin e armatosur në Banjskë.
Lajmi është konfirmuar nga Gjykata e Lartë për televizionin serb N1, ndërsa informacionin për lëshimin e fletarrestit e kishte publikuar fillimisht BIRN-i.
Sipas raportimit, masa e paraburgimit do të fillojë të llogaritet nga dita dhe ora kur Radoiçiqi të privohet nga liria.
Vendimi është marrë pasi ai nuk është paraqitur në stacionin policor më 15 nëntor, ndonëse ishte i obliguar ta bënte këtë si pjesë e masave të caktuara ndaj tij.
Radoiçiqi po hetohet në Serbi për rastin e Banjskës, ku më 24 shtator 2023 një grup i armatosur serb sulmoi Policinë e Kosovës. Në këtë sulm u vra rreshteri Afrim Bunjaku. Gjatë përleshjeve që pasuan u vranë edhe tre pjesëtarë të grupit serb: Stefan Nedeljkoviq, Bojan Mijailoviq dhe Igor Milenkoviq.
Sipas dyshimeve të organeve serbe të drejtësisë, Radoiçiqi, nga janari deri më 24 shtator 2023, ka siguruar armë, municion dhe mjete shpërthyese me fuqi të madhe shkatërruese nga Tuzlla e Bosnjë-Hercegovinës.
Armët dyshohet se i janë dorëzuar në territorin e Beogradit, kryesisht në zonën Bubanj Potok–Vrçin, për t’u transportuar më pas në Kosovë dhe për t’u fshehur në objekte të braktisura dhe në pyje.
Radoiçiqi akuzohet se, si udhëheqës i grupit, së bashku me persona të tjerë, ka rrezikuar jetën e njerëzve gjatë sulmit në Banjskë.
Në kohën e sulmit ai ishte nënkryetar i Listës Serbe. Pesë ditë më vonë, përmes avokatëve të tij, Radoiçiqi mori përgjegjësinë për organizimin e operacionit dhe dha dorëheqje nga posti partiak.



