
Zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, ka kujtuar pengesat me të cilat ishte përballur para 20 vjetësh për ta sjellë në Shkup bustin e Skënderbeut, teksa sot është rikthyer në Qafë Thanë për përurimin e sistemit të përbashkët kufitar “One Stop Shop”.
Mexhiti tha se autoritetet e atëhershme nuk kishin lejuar hyrjen e bustit në Maqedoninë e Veriut, por se pas këmbënguljes ai ishte sjellë përmes Qafë Thanës dhe ishte vendosur në sheshin e Shkupit që sot mban emrin e heroit kombëtar.
“Para njëzet vjetësh, isha në Qafë Thanë për ta sjellë në Shkup bustin e Skënderbeut. Sot jam përsëri këtu, për ta bërë më të lehtë kalimin e këtij kufiri”, deklaroi Mexhiti.
Ai theksoi se kthimi në këtë pikë kufitare ka domethënie të veçantë për të, pasi në vendin ku dikur duhej të këmbëngulej për kalimin e bustit të Skënderbeut, sot Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria po zbatojnë një marrëveshje që ua lehtëson qarkullimin qytetarëve.
Sistemi “One Stop Shop” është përuruar në praninë e kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, zëvendëskryeministrit Bekim Sali dhe bashkëkryetarit të VLEN-it, Bilall Kasami.
Me sistemin e ri, kontrollet kufitare ndërmjet dy shteteve do të zhvillohen në një vend të përbashkët, përmes vetëm një ndalese.
“Për mua, këto dy ditë, njëzet vjet larg njëra-tjetrës, tregojnë sa shumë ka ndryshuar mënyra si i zgjidhim çështjet që kanë rëndësi për qytetarët. Atëherë na duhej të përballeshim me pengesa edhe për ta vendosur një figurë të historisë sonë në një shesh të Shkupit. Sot ulemi në të njëjtën tryezë, marrim vendime të përbashkëta dhe i zbatojmë në paqe dhe me respekt për të drejtat e secilit”, u shpreh Mexhiti.
Ai bëri të ditur se marrëveshja për kontrollet e përbashkëta kufitare, përveç Qafë Thanës, përfshin edhe pikat kufitare Bllatë, Goricë, Tushemisht dhe Xhepisht–Trebisht.
Mexhiti e lidhi nisjen e zbatimit të sistemit edhe me 22 Nëntorin, Ditën e Alfabetit Shqip, duke kujtuar Kongresin e Manastirit dhe rëndësinë e alfabetit të përbashkët për shqiptarët.
“Me të kemi mësuar të lexojmë e të shkruajmë në të dyja anët e këtij kufiri. Sot, po ua shkurtojmë pritjen në kufi njerëzve që e flasin atë gjuhë kur mbërrijnë te familja, te miqtë, te njerëzit e tyre. Për mua, kjo është mënyra më e mirë për ta shënuar këtë 22 Nëntor”, përfundoi Mexhiti.



