
Ish-ushtari i UÇK-së dhe aktivisti shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Uk Lushi, ka reaguar ashpër pas vizitës së kufizuar të ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqi, pranë familjes së tij në Kosovë.
Duke iu referuar pranisë dhe masave të sigurisë të EULEX-it gjatë vizitës humanitare, Lushi e ka cilësuar misionin evropian “forcë koloniale”.
“Forca koloniale. Nuk ka liri pa largimin e tyre”, ka shkruar Lushi.
Ai ka përdorur edhe gjuhë të ashpër ndaj pjesëtarëve të këtij misioni, duke u bërë thirrje qytetarëve që të pështyjnë në tokë para tyre kur t’i shohin.
“Pështyni në tokë para tyre kudo t’i shihni”, ka shkruar ai.
Sipas Lushit, shqiptarët duhet ta rishikojnë bindjen se Kosova është plotësisht e lirë dhe e pavarur.
“Kombi i ndarë shqiptar duhet t’i hedhë iluzionet se Kosova është e lirë dhe e pavarur”, ka përfunduar Lushi.
Reagimi i tij vjen pas vizitës humanitare të Jakup Krasniqit në Kosovë, e cila u realizua nën shoqërimin dhe kufizimet e vendosura nga organet përgjegjëse të Dhomave të Specializuara dhe EULEX-it.



