
Një traditë e moçme dardane, e cila ishte bërë pjesë e kulturës publike në Kosovë falë Ibrahim Rugovës, ish-president historik, mbrëmë është mbajtur në Bruksel. Mijëra kilometra larg nga vendlindja, ku u nis kjo traditë, dega e LDK-së në Beneluks e riaktualizoi “Darkën e Lamës” në kryeqytetin e Bashkimit Evropian. Çfarë ndodhi në Bruksel?
Në “Darkën e Lamës”, që u organizua nga LDK-ja e Beneluksin, ishte edhe Lumir Abdixhiku, kryetar i LDK-së, si kryemysafiri i mbrëmjes. Krahas Abdixhikut ishte edhe Anton Quni, deputet i LDK-së dhe njëri nga dy komandantët e luftës, që sot janë pjesë e grupit parlamentar të ish-partisë së Rugovës, shkruan Gazeta Politika.
Pjesë e kortezhit të mysafirëve ishte edhe deputeti tjetër i LDK-së, Paris Guri, dhe Zeqir Mehmetaj, moderatori i njohur i RTV Fontantës, i cili publikoi disa video nga nata e “Darkës së Lamës”.
Në lidhje me këtë mbrëmje, Abdixhiku publikoi disa fotografi nga festa, duke vlerësuar mikëpritjen dhe çmuar besimin e kësaj dege, shkruan Gazeta Politika.
“Faleminderit degës sonë të LDK-së në Beneluks që na mblodhi sonte rreth sofrës së Darkës së Lamës. Të shtrosh sofrën për tjetrin është ndër zakonet më të bukura të popullit tonë. Sonte, në zemër të Evropës, bashkatdhetarët tanë e shtruan sofrën e Darkës së Lamës. Kështu e çojnë kulturën tonë përtej kufijve të Kosovës dhe e bëjnë pjesë të jetës së qyteteve ku jetojnë” – ka shkruar Abdixhiku, transmeton Gazeta Politika.
Në videot e publikuar nga kjo ndejë dëgjohen disa këngë, të cilat u kënduan “live”. Në njëra nga to iu kushtua LDK-së dhe figurës historike të liderit të saj, Rugova.
“Krejt Kosova është e jona, rrnoftë sa malet Ibrahim Rugova” – thotë këngëtari, ndër të tjera, duke ngjallur reagimin emocional të mysafirëve.
Në këtë këngë u përmend edhe Abdixhiku e Quni, të cilën mund ta dëgjoni duke klikuar këtu.



