
Mbrëmë përfunduan zgjedhjet lokale. Një ditë pas, analizat me kokë të ftohtë, pa ngjyrime emocionalo-partiake dhe objektive janë të domosdoshme. VV-ja e Albin Kurtit korri një sukses të konsiderueshëm, ndonëse humbjet në Prishtinë e Prizren janë të dhimbshme. PDK-ja e Bedri Hamzës u turpërua në Mitrovicë. Ndërsa fitorja e LDK-së e Lumir Abdixhikut në Prishtinë ka ndryshuar lojën brenda opozitës. Pse nga dje Abidxhiku është lider i opozitës në Kosovë?
Shkruan: Mirlind Behluli
Në thyerje të mëdha politike, zgjedhjet lokale shpesh kanë ndikim kombëtar e shumëdimensional. Posaçërisht fitorja e kryeqytetit nga ana e opozitës, është gjithmonë një ogur i mirë i demokracisë. Përgjatë katër viteve, krejt narracioni politik opozitar ishte se në Kosovë po instalohet një autokraci me Kurtin si lider dhe kult i “regjimit të ri”. Prandaj, në sytë e partive opozitare, zgjedhjet lokale, ndoshta si kurrë më herët, morën një dimension apokaliptik. Për opozitën, fitorja dërmuese e VV-së nënkuptonte fundin e demokracisë, ndërsa fitorja e opozitës ishte një mburojë e vlerave republikane.
Në kontekst të kësaj imagjinate politike opozitare, Prishtina si kryeqytet do të duhej të ishte epiqendra e përplasjes mes “regjimit të ri” dhe opozitës. Cilado parti që e fiton kryeqytetin ndaj “regjimit të ri”, është liderja e opozitës, rrjedhimisht lideri i asaj partie është udhëheqësi i opozitës. Ndonëse nuk pajtohem me shumëçka me narracionin e “regjimit të ri”, megjithatë fitorja në kryeqytet e LDK-së e vendos partinë e Abdixhikut në krye të opozitës.
Prishtina ishte garë për “jetë a vdekje” për Abdixhikun, i cili ishte “all in” në kryeqytet. Prishtina ishte hapësira ku LDK-ja e Lumirit mund të varrosej përfundimisht. Ishte përballje titanike mes Abdixhikut e Kurtit, mes LDK-së e VV-së. Fitorja e Përparim Ramës nënkuptonte aprovimin e politikave reformuese dhe ndryshimeve kadrovike në LDK. Abdixhiku e kaloi këtë test. Fitorja në Prishtinë është dëshmia e qartë se LDK-ja e Abdixhikut ka hyrë në një rrugë me potencial suksesi.
Në fakt, fitorja e Abdixhikut në Prishtinë është e dyfishtë. E para, njeriu i përzgjedhur nga Abdixhiku, pra Rama, fitoi kundër njeriut të Kurtit, pra Çekut. Ndonëse fitore me një dallim jo aq të madh dhe e ndihmuar nga koalicionet, megjithatë fitore. Ky është rrafshi i parë i fitores, i fitores së Abdixhikut kundër Kurtit, i LDK-së kundër VV-së. Përtej këtij rrafshi, ekziston edhe një dimension tjetër. Duke e mposhtur VV-në në Prishtinë, LDK-ja bëhet lidere e opozitës. Nga dje, Prishtina e LDK-së së Abdixhikut është kryeqendra e opozitës.
Ky pozicion i Abdixhikut përforcohet nga humbja e Arian Tahirit, njeriut të përzgjedhur nga Hamza, në Mitrovicë. Hamza, ylli i PDK-së dhe kandidati i sërishëm i kësaj partie për kryeministër, humbi në vendlindjen e tij, në qytetin që e udhëhoqi për katër vite. Me shumë gjasë, ishte një ndëshkim për qeverisjen dembele të Hamzës. Kurti e mposhti Hamzën në vendlindje, një humbje epokale. Ishte një garë e “nderit” për Kurtin e Hamzën, prandaj humbja e PDK-së në Mitrovicë është e dyfishtë dhe fitorja e VV-së është e dyfishtë. Kurti e fitoi edhe komunën e Mitrovicës, edhe e shkatërroi imazhin triumfator të Hamzës. Me një guri, “vrau” dy zogj.
Si është e mundur të krijohet frymë me Hamzën, i cili humbet në vendlindje, në komunën e udhëhequr nga vetë ai në katër vitet e fundit? Mbi të gjitha, nëse Kurti e mposhtë Hamzën në qytetin e tij, imagjinojeni çfarë do t’i bënte në krejt Kosovën. Pas këtij rezultati katostrofal në Mitrovicë, është e palogjikshme që Hamza të shndërrohet në kandidatin kryesor të opozitës për kryeministër. PDK-ja duhet të fillojë urgjentisht të kërkojë brenda radhëve të veta një kandidat të ri për kryeministër. Është një mesazh që këmbon shumë. Nëse PDK-ja nuk e dëgjon këtë “piskamë”, ka mundësi të tkurret.
Ndonëse nga dje u bë lider i opozitës, Abdixhiku ka një rrugë të gjatë përpara. Tash e tutje, Abdixhiku është “peng” i dy R-ve: reformes dhe ripozicionimit. Reforma e nisur brenda partisë, duhet të vazhdojë edhe më tutje. Ripozicionimi nënkupton një politikë më të balancuar dhe të kujdesshme kundrejt zhvillimeve në vend. Ky është mesazhi i zgjedhjeve për LDK-në.
E fundit për nga rendi, por jo për nga rëndësia, këto zgjedhje treguan se VV-ja është duke u shndërruar në një parti të fuqishme në nivel lokal. I mbajti katër komunat e fituara katër vite më parë, i fitoi edhe Mitrovicën, Fushë Kosovën e Obiliqin. Është suksesi më i madh ndonjëherë i VV-së në zgjedhje lokale. Gabimet elementare strategjike, duke e kandiduar Çekun në Prishtinë e jo në Prizren p.sh., kanë qenë lehtësisht të shmangshnme. Sidoqoftë, Kurti ngadhnjeu në Mitrovicë, aty ku ishte fokusuar shumë./Gazeta Politika.



