Aeroporti i Mynihut ndalon fluturimet për herë të dytë brenda 24 orëve për shkak të dronëve

Më shumë se 6.000 pasagjerë u prekën nga anulimet dhe vonesat, ndërsa autoritetet gjermane flasin për një “kërcënim serioz ajror” dhe paralajmërojnë masa të reja kundër dronëve të paidentifikuar.

Aeroporti ndërkombëtar i Mynihut është detyruar të ndalojë operacionet për të dytën ditë radhazi të premten, pasi disa dronë të paidentifikuar u panë duke fluturuar pranë pistave të aeroportit. Si pasojë, dhjetëra fluturime u anuluan ose u devijuan, duke prekur mbi 6.500 pasagjerë, raporton The Guardian, transmeton Gazeta Express.

Në një deklaratë zyrtare, Aeroporti i Mynihut njoftoi se “nga ora 21:30 trafiku ajror u kufizua dhe më pas u anulua për shkak të paraqitjes së dronëve”, duke shtuar se 23 fluturime hyrëse u devijuan dhe 12 nisje me destinacion Mynihun u anuluan.

Sipas policisë gjermane, ka pasur dy vëzhgime të konfirmuara të dronëve nga patrullat e sigurisë rreth orës 23:00 në zonat veriore dhe jugore të pistave. “Dronët u larguan menjëherë, përpara se të identifikoheshin”, tha një zëdhënës i policisë për agjencinë AFP.

Autoritetet aeroportuale thanë se, ashtu si një natë më parë, u morën masa për të ndihmuar pasagjerët e bllokuar në terminale: “U vendosën shtretër kampingu, batanije, pije dhe ushqime të lehta.”

Fillimisht ishte paralajmëruar që trafiku ajror do të rifillonte në orën 05:00 të mëngjesit të së shtunës, por rifillimi i plotë u shty për në 07:00.

Incidenti i parë ndodhi të enjten në mbrëmje, rreth orës 20:30, kur policia raportoi dronë në zonat përreth aeroportit, përfshirë qytetet Freising dhe Erding, ku ndodhet edhe një bazë ushtarake gjermane. Dronët u panë sërish mbi kompleksin e aeroportit rreth një orë më vonë, duke shkaktuar mbylljen e të dy pistave deri pas mesnate.

Ministri i Brendshëm gjerman, Alexander Dobrindt, e quajti incidentin “një thirrje zgjimi për sigurinë ajrore”, duke theksuar se “gara midis kërcënimit nga dronët dhe mbrojtjes kundër tyre po bëhet gjithnjë e më e vështirë”. Ai shtoi se është e nevojshme rritja e investimeve dhe kërkimeve për sistemet kundërdronë në nivel kombëtar dhe europian.

Ky incident ndodhi në një moment të ndjeshëm për Gjermaninë, e cila të premten festonte Ditën e Unitetit Kombëtar, ndërsa Mynihu përgatitej për fundjavën e fundit të Oktoberfest, ngjarje që tërheq çdo ditë qindra mijëra vizitorë.

Autoritetet gjermane po hetojnë origjinën e dronëve dhe po vlerësojnë nëse incidentet e fundit në aeroportet evropiane – përfshirë ato në Danimarkë, Norvegji, Poloni, Rumani dhe Estoni – mund të jenë pjesë e një aktiviteti të koordinuar.

Back to top button