
Aktorja e njohur kosovare, Flutura Zeneli, fton qytetarët e Prishtinës të dalin në votime më 12 tetor dhe të besojnë në ndryshim rrënjësor.
Aktorja e mirënjohur kosovare Flutura Zeneli, e njohur për rolin e saj si Mimoza në serialin “Tre gjermanët e trashë”, ka bërë një thirrje publike për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale të 12 tetorit.
Në një postim të saj, Zeneli ka ndarë përvojën nga pjesëmarrja në tubimin e lagjes Dardania në Prishtinë, ku ishte e pranishme edhe kryeministri Albin Kurti, si dhe shumë kandidatë të listës Guxo dhe Vetëvendosje.
“Kisha nderin që mbrëmë të isha e ftuar në tubimin e lagjes Dardania në Prishtinë, ku pa dyshim që prezent ishte edhe kryeministri ynë i dashur e i respektuar,” shkroi Zeneli.
Aktorja theksoi se ka takuar shumë qytetarë që ende besojnë në ndryshim të vërtetë, por edhe të tjerë që ndihen të dëshpëruar dhe pa vullnet për të dalë në votime.
Ajo i ka ftuar qytetarët që dëshpërimin ta shprehin përmes votës, duke theksuar se “vota është zëri yt”.
“Dua që përmes këtij shkrimi t’ju jap vullnet, ashtu siç kam bërë me secilin që kam takuar në rrugë këto ditë – që dëshpërimin tuaj ta tregoni me votën tuaj më 12 tetor. Vota jote është zëri yt… e zëri yt do të jetë zëri im dhe përgjegjësia ime në Asamblenë e Prishtinës,” ka shkruar Zeneli.
Ajo ka bërë thirrje për bashkim qytetar, përtej ndasive partiake, me qëllim që t’i kthehet dinjiteti dhe krenaria qytetit të Prishtinës.
“Mos hesht, mos duro, por guxo e dil voto. Bashkë mund ta bëjmë ndryshimin e dëshiruar nga të gjithë ne, pavarësisht cilës parti i takojmë. Në fund të fundit, ne të gjithë i takojmë Prishtinës,” ka shtuar ajo.



