
Kreu i BDI-së zbulon se bashkë me kryeministrin Edi Rama kanë kërkuar të ndihmojnë Kosovën përmes kontakteve në Bruksel e Uashington, por se mungesa e bashkëpunimit nga Qeveria Kurti ka penguar afrimin mes Tiranës dhe Prishtinës.
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti, ka reaguar ashpër ndaj qëndrimeve të kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, duke e akuzuar se po e pengon bashkëpunimin e nevojshëm mes Prishtinës dhe Tiranës.
Në një intervistë për RTSH, Ahmeti tha se ai dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, kanë pasur gjithmonë qëllime të mira ndaj Kosovës, pavarësisht interpretimeve të ndryshme politike.
“As e kemi menduar, as kemi punuar ndonjëherë kundër saj – përkundrazi, jemi përpjekur të punojmë për të mirën e çdo force politike në vend,” – deklaroi Ahmeti.
Sipas tij, ai dhe Rama janë përpjekur të ndikojnë në situatën e krijuar, duke përdorur lidhjet me partnerët perëndimorë, por pa sukses.
“Nuk jemi njerëz pa miq në Bruksel dhe Uashington që mund të ndikojmë për Kosovën. Si unë si Rama ia kemi thënë shqetësimet e tyre Albin Kurtit. Por nuk ka pasur reagim,” – tha kreu i BDI-së, duke lënë të kuptohet se Prishtina nuk ka qenë e gatshme për bashkëpunim.
Ahmeti theksoi se rajoni ka nevojë për unitet dhe bashkëpunim, jo për përçarje, sidomos Kosova në procesin e saj drejt Bashkimit Evropian.
“Na duhet shumë unitet. Ka shumë punë Kosova para për anëtarësimin në BE. Duhet të jemi ‘sup më sup’, sepse proceset integruese janë të rëndësishme për Kosovën, Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut,” – tha ai.
Në fund, Ahmeti i dërgoi edhe një mesazh të qartë Kurtit:
“Edhe pse Kurti ka ndërhyrë në disa raste në çështje të Maqedonisë së Veriut, unë personalisht kurrë nuk do të ndërhyja. Politika duhet të forcojë, jo të përçajë.”



