
Ambasada e Gjermanisë në Kosovë ka reaguar pas deklaratave të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, dhe zyrtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje lidhur me Gjykatën Kushtetuese.
Në një deklaratë për media, ambasada ka theksuar rëndësinë e pavarësisë së gjyqësorit dhe ka bërë thirrje për përmbajtje nga çdo ndërhyrje, përfshirë edhe ato me karakter personal.
“Ambasada Gjermane në Prishtinë thekson rëndësinë e pavarësisë gjyqësore si një gurthemel i sundimit të ligjit. Ne u bëjmë thirrje të gjithë akterëve politikë dhe institucioneve në Kosovë që të respektojnë pavarësinë e Gjykatës Kushtetuese dhe të gjithë gjyqësorit dhe të përmbahen nga çdo ndërhyrje, përfshirë sulmet personale”, thuhet në reagimin e Ambasadës gjermane.
Reagimi i Ambasadës vjen një ditë pasi Gjykata Kushtetuese shprehu shqetësimin për “deklarimet e pamatura të zyrtarëve të lartë shtetëror dhe të zgjedhurve politikë”, pas akuzave të kryetarit të VV-së, Albin Kurti, dhe të Glauk Konjufcës.
Ky institucion theksoi se pavarësia e tij nuk është privilegj i gjyqtarëve, por themel i shtetit të së drejtës, duke nënvizuar se asnjë subjekt politik nuk mund të ndërhyjë në punën e tij.



