
Ambasada britanike mohon përfshirjen në mbështetje të kandidatëve për president në Kosovë
Ambasada e Mbretëria e Bashkuar në Kosovë ka deklaruar se nuk ka asnjë rol në propozimin apo mbështetjen e ndonjë kandidati për president të vendit.
Reagimi i ambasadës vjen pas konferencës së kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe kandidates për presidente nga kjo parti, Feride Rushiti, e cila kishte përmendur mbështetje nga partnerë ndërkombëtarë, përfshirë edhe ambasadën britanike.
Në një përgjigje me shkrim për gazetën Nacionale, ambasada mohoi një gjë të tillë.
“Mbretëria e Bashkuar nuk ka asnjë rol në propozimin apo mbështetjen e ndonjë kandidati të caktuar në Kosovë dhe nuk e ka bërë një gjë të tillë.”
Rushiti kishte deklaruar se kishte marrë mbështetje nga “partnerë ndërkombëtarë”, duke përmendur në veçanti ambasadën britanike.
“Partnerët ndërkombëtar nëse mund t’i them janë ambasada angleze, me të cilët bashkëpunoj dhe më mbështesin qe sa vite. Këtë propozim ma kanë bë edhe më herët, para se me vendos, dhe kam thanë “jo.” Sepse kam mendu që ka me pas zgjidhje politike. Pastaj sot kam qenë edhe me ambasadoren amerikane në kontakt. Më kanë përuru për guximin që e kam marrë. Unë edhe jam “grua e guximshme” prej Departamentit të Shtetit amerikan,” tha ajo gjatë konferencës me Kurtin.
Duke sqaruar qëndrimin e saj, ambasada britanike nënvizoi se procesi i përzgjedhjes së kandidatëve është përgjegjësi e brendshme politike.
“Është rol ekskluziv i partive politike të diskutojnë dhe të propozojnë kandidatë të mundshëm për zgjedhje.”
Në të njëjtën përgjigje, ambasada theksoi edhe rëndësinë e respektimit të rregullave demokratike dhe procesit zgjedhor.
“Ashtu si në zgjedhjet e tjera të fundit, ne vazhdojmë t’i inkurajojmë të gjitha partitë që të veprojnë në përputhje me ligjin dhe Kushtetutën, si dhe të zhvillojnë fushatën në mënyrë konstruktive dhe me respekt.”



