Ambasadori gjerman uron Kosovën për njohjen nga Siria: I lumtur me dinamikën e re të njohjeve këtë vit

Rainer Rudolph përgëzon presidenten Vjosa Osmani dhe popullin e Kosovës për njohjen e re nga Siria, duke theksuar mbështetjen e qëndrueshme të Gjermanisë për pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës.

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph, ka përgëzuar presidenten Vjosa Osmani dhe popullin e Kosovës për njohjen e pavarësisë nga Siria, duke e cilësuar këtë zhvillim si një hap të rëndësishëm në fuqizimin ndërkombëtar të shtetit të Kosovës.

Në një reagim publik, Rudolph u shpreh i kënaqur me “dinamikën e re të njohjeve” që Kosova ka arritur gjatë këtij viti, duke përmendur se Siria është vendi i tretë që e njeh Kosovën pas Kenias dhe Sudanit.

“Urimet e mia të sinqerta për Presidenten Osmani, popullin e Kosovës dhe kolegët tanë në shërbimin diplomatik kosovar për lajmin e mrekullueshëm se Kosova është njohur nga Siria. Është mirë të shohësh këtë dinamikë të re. Gjermania gjithmonë ka qëndruar pranë pavarësisë dhe sovranitetit të Kosovës,” ka shkruar ambasadori gjerman.

Njohja nga Siria u zyrtarizua të mërkurën, gjatë një takimi trilateral në Riad të Arabisë Saudite, ku morën pjesë presidentja Vjosa Osmani, presidenti sirian Ahmed al-Sharaa, dhe Princi i Kurorës së Arabisë Saudite, Muhammed bin Salman Al Saud, i cili shërbeu si ndërmjetësues në proces.

Ky zhvillim vjen në një moment të rëndësishëm për diplomacinë kosovare, e cila ka intensifikuar përpjekjet për rritjen e numrit të njohjeve ndërkombëtare dhe për forcimin e pozitës së Kosovës në arenën globale.

Back to top button