Amerika Latine kundër Messit, tifozët kundër Argjentinës në finalen e Kupës së Botës

Nga Meksika deri në Brazil, tifozët janë bashkuar për të mbështetur Spanjën e Lamine Yamalit kundër Argjentinës dhe Lionel Messit, të cilin e quajnë “djali i artë i FIFA-s”, shkruan Al Jazeera.

Edhe pse vendet e Amerikës Latine tradicionalisht kanë mbështetur ekipet e rajonit që arrijnë në fazat e fundit të Kupës së Botës, një valë memesh, batutash dhe kritikash ka treguar se ekziston një përjashtim: Argjentina.

banner

Në një fotomontazh që u bë viral, Lamine Yamal, ylli i Spanjës, shfaqej i veshur me fanellën e Brazilit. Mbishkrimi ironik ishte: “Shpresa e popullit brazilian.”

Kjo atmosferë shkon përtej rivalitetit historik mes Brazilit të Peles dhe Argjentinës së Diego Maradonës. Tifozë nga Meksika, Kolumbia, Kili dhe vende të tjera po shpresojnë që Argjentina e Lionel Messit të mposhtet në finalen e së dielës.

Një fenomen i ngjashëm u pa edhe para se Argjentina të fitonte titullin e tretë botëror në Katar më 2022.

Sociologu kolumbian German Gomez beson se “dinamika e solidaritetit rajonal është thyer” kur bëhet fjalë për Argjentinën.

Sipas tij, epoka digjitale dhe rrjetet sociale kanë ushqyer narrativa sipas të cilave Argjentina është skuadra e preferuar e FIFA-s dhe e presidentit të saj, Gianni Infantino.

“Argjentina ka pasur ndihmën e gjyqtarëve,” tha Francisco Santos, një tifoz brazilian që po shkëmbente albume dhe figura të Kupës së Botës në një qendër tregtare në São Paulo, ku pati brohoritje sa herë Anglia kaloi në epërsi ndaj Argjentinës në gjysmëfinale.

“Nëse Brazili nuk mund të bëhet kampion për herë të gjashtë, atëherë më mirë ta fitojë Spanja titullin e dytë sesa Argjentina të bëhet katër herë kampione,” shtoi 42-vjeçari.

Kritikët pretendojnë se Argjentina ka përfituar më shumë nga vendime të favorshme, si penallti apo kartonë të verdhë e të kuq për kundërshtarët, edhe në rastet kur këto vendime janë mbështetur nga FIFA dhe ekspertët e arbitrimit.

“Shumë politike”

Antonio Lopez, 51-vjeçar dhe polic në Mexico City, e përshkroi Messin si një “legjendë”.

Por ai shtoi:

“Nëse djersit dhe sakrifikon gjithçka në fushë për t’u bërë kampion dy herë, unë e pranoj. Por nëse të ndihmojnë gjyqtarët, atëherë jo.”

Në një konferencë për media, presidentja e Meksikës, Claudia Sheinbaum, pyeti me shaka gazetarët se cilën skuadër do të mbështesnin në finale.

Spanjën! Spanjën!”, u përgjigjën ata.

Profesori meksikan i antropologjisë Jorge Negroe, specialist i studimeve sociale të sportit, tha se:

“Kjo Kupë Bote ka dëshmuar se është shumë politike.”

Sociologu Gomez shtoi se, ndryshe nga Diego Maradona, i cili shihej si një figurë revolucionare që sfidonte pushtetin e FIFA-s, narrativa aktuale e paraqet Lionel Messin si ‘djalin e artë’ të FIFA-s.

Politika kombëtare ka krijuar gjithashtu pakënaqësi.

“Nuk më pëlqen aspak Javier Milei,” tha Rachid Sjoberg, 29-vjeçar nga Santiago i Kilit.

“Ideja që ai do të mburrej me një fitore të Kupës së Botës nëse Argjentina triumfon, nuk më pëlqen fare.”

Tifozët argjentinas dhe disa futbollistë janë përballur gjithashtu me akuza për racizëm, si për shembull një këngë e kënduar nga skuadra në të kaluarën, e cila tallej me futbollistët me ngjyrë të Francës duke pretenduar se ata nuk ishin “francezë të vërtetë”.

Po ashtu ekziston një histori e gjatë e incidenteve raciste në futbollin e Amerikës së Jugut, ku tifozë kanë hedhur banane në fushë ose kanë bërë gjeste raciste ndaj tifozëve brazilianë dhe lojtarëve me ngjyrë.

Gjatë këtij Botërori, FIFA dënoi publikisht një incident racist, pasi një tifoz argjentinas i tha influencuesit amerikan me ngjyrë IShowSpeed gjatë një transmetimi live që të shkonte “të qante në kopshtin zoologjik.”

“Ne jemi të padurueshëm”

Vetë Lionel Messi ka pranuar se skuadra e tij ngjall emocione të forta, si te mbështetësit ashtu edhe te kundërshtarët.

“Katër vjet më parë arritëm atë që donim: luajtëm finalen dhe ishim më të mirët për katër vjet. Edhe një herë kemi treguar se askush nuk na ka dhënë asgjë falas dhe kemi hyrë sërish mes dy skuadrave më të mira.”

“Le t’i dhembë kujtdo që t’i dhembë.”

Një markë e pijeve fernet, shumë e njohur në Argjentinë, ka shfrytëzuar me humor ndjenjat anti-argjentinase.

Me sloganin “Ne jemi të padurueshëm”, ajo publikoi një reklamë ku tifozë të skuadrave të ndryshme janë ulur në një rreth terapie duke u ankuar për pasionin e pakufishëm të Argjentinës për futbollin.

Megjithëse shumë tifozë në Amerikën Latine po bëjnë tifo kundër Argjentinës, skuadra ka marrë një pritje entuziaste në kampet stërvitore në Shtetet e Bashkuara, ku tifozët kanë brohoritur vazhdimisht: “Messi! Messi!”

Megjithatë, ka ende nga ata që besojnë te solidariteti rajonal.

“Unë do ta mbështes Argjentinën, sepse është një vend i Amerikës së Jugut,” tha Valentino Tocto, një student 20-vjeçar nga Lima.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.