
Analistja Zana Avdiu ka kritikuar ashpër Vetëvendosjen për bllokadën ndaj sheshit te “Xhorxh Bush” dhe projektit të ri të kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama për këtë shesh.
Ajo ka kujtuar se gjatë kohës sa VV drejtonte kryeqytetin, ishte ndërtuar parkingu nëntokësor në rrugën “Xhorxh Bushi”, duke u shkatërruar parku i studentëve, sipas saj, një hapësirë e gjelbër që kishte frymë universitare dhe qytetare.
“Nëse duhej ruajtur diçka me kujdes, ishte ai park, para Fakultetit Filologjik. Edhe vetë sheshi i ri sot do të dukej shumë më bukur e më gjallë po të ekzistonte ende ajo hapësirë e gjelbër. Ajo që ka mbetur sot nuk është ‘zonë historike’, por një hapësirë betoni mbi të cilën janë hedhur pak lule e bar, thjesht për sy e faqe”, ka thënë Avdiu.
Sipas saj, është ironike që Vetëvendosje sot e quan “zonë historike” këtë pjesë vetëm për të bllokuar projektin modern të kretarit actual, Përparim Ramës, ndërsa vetë kishte bërë betonizimin e saj vite më parë.
Avdiu thekson se Prishtina ka nevojë për një shesh që i jep frymë qytetit, jo për bllokada politike, ndërsa humbësit e vërtetë të kësaj bllokade janë qytetarët.



